E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronësi me padrejtësi

Çështja e pronës në vendin tonë po kalon nëpër një regres të frikshëm. Qeveria e Kryeministrit Berisha ka kthyer hapur dhe në mënyrë të dhunshme praktikën e shtetëzimit të pronës. Dy raste janë konfirmuar mu në qendër të Tiranës, kur qeveria e zotit Berisha vendosi të shtetëzojë pronën private të shtetasve të këtij shteti. Për fat të keq, publiku ende nuk po ndërgjegjësohet për këtë gjëmë që po i ndodh të drejtës së pronës, edhe pse ka një përvojë të hidhur që nga koha kur qeveriste Enver Hoxha. Qeveria e sotme ashtu si ajo e Enver Hoxhës, vendos me lehtësinë më të madhe për të shtetëzuar pronën, me motivacionin "t‘u merren prona kulakëve (ata ishin mafiozët e opozitës së kohës) dhe t‘i jepet prona i përket popullit ( që në fakt nuk fiton asgjë)".
Për fat të keq edhe media nuk po i tregon vëmendjen e nevojshme kësaj çështjeje. Ajo bie lehtësisht "viktimë" e terminologjisë që përhap propaganda e qeverisë. Ndryshe nuk shpjegohet fakti se thuajse askush nuk u ndal të sqaronte opinionin publik se kjo që po bën qeveria e sotme (e kohës së demokracisë) quhet shtetëzim dhe jo shpronësim siç rreket të argumentojë propaganda shtetërore. Dallimi është si nata me ditën, sepse i pari është marrje me dhunë e pa shpërblim e pronës private nga ana e shtetit, kurse e dyta është marrje e pronës për interesa publike dhe gjithmonë me shpërblim të plotës. Për shkak se marrja e pronës së tjetrit është ende fatkeqësisht një "kënaqësi" për publikun që në rastin më të mirë është indiferent, media gjendet gjithmonë nën presionin e humbjes së audiencës nëse zgjedh të merret me këtë çështje.
Juristët, që në këto kohë janë me lopatë, kanë braktisur masivisht debatin publik dhe reagimin e fortë në emër të parimeve të shtetit të së drejtës në këtë vend. Avokatë, noterë, juristë të administratës, gjykatës e prokurorë ngrenë supet (edhe në kohë të Enverit kështu ndodhi), kur ju duhet të merren më këto çështje e për pasojë e pronarët ngelen pa zgjidhje sa herë që shteti vë dorë në pronën e tyre. Legjislacioni që prodhon qeveria për këtë çështje, me forcë kartonësh është haptazi kundër parimeve kushtetuese dhe kundër vetë demokracisë dhe askush nuk preferon të debatojë në publik për këtë çështje.
Vetë pronarët dhe investitorët preferojnë t‘i kalojnë në heshtje këto ngjarje të rënda që u ndodhin kolegëve të tyre. Të gjithë gjejnë "paqe" në shprehjen "rasti im nuk është si i atij tjetrit". Pra situata është qartësisht e favorshme që një qeveri që, si ajo e Enver Hoxhës, të rrëmben pronën e cilitdo që shpallet "armik" ose në kohët e sotme mafioz i lidhur me opozitën. Për konseguencë të fakteve të derisotme, asnjë prej pronarëve që i shërbejnë qeverisë nuk u hyn gjemb në këmbë.
Është me vend të sqarohet se ligjet që ka prodhuar qeveria e Kryeministrit Berisha për çështjen e pronësisë, legjitimojnë shtetëzimin e pronës nga ana e shtetit. Sipas këtyre ligjeve, qeveria ka të drejtë të marrë vendime mbi fatin juridik të çdo prone në këtë vend, duke legjitimuar kështu pasigurinë juridike të çdo prone e pronari në këtë vend. Kjo praktikë dhe këto ligje janë të papranueshme për parimet e shtetit të së drejtës dhe për parimet e një shoqërie demokratike. Është e paimagjinueshme për çdo Kryeministër të Europës apo të çdo vendi të NATO-s, që të marrë vendime për shtetëzimin e pronës private të shtetasve të tij. Një praktikë e tillë nuk gjendet askund në demokraci! Edhe sikur të çmendej ndonjëri prej këtyre Kryeministrave (për hir çmenduria nuk mundon as nga radhët e tyre) është e sigurt se shoqëria, media dhe komuniteti i juristëve reagojnë shumë fort. Ndërsa ne vazhdojmë të "kënaqemi" me lajme të servirura nga qeveria në kurriz të pronarëve dhe investitorëve shqiptarë.
E meqë jemi tek investitorët, qeveria e Berishës po përgatit një ligj që kërkon të marrë në mbrojtje pronat e investitorëve të huaj. Teknikisht me një ligj që Kuvendi mund ta miratojë edhe me 36 vota, po kërkohet të shmangen Kodi Civil dhe ai i Procedurës Civile miratimi i të cilave kërkon 3/5 e votave. Politikisht Sali Berisha po tregon se për këtë çështje është vazhdues i qeverisë së tij të parë, teksa zbuloi nga arkiva ligjore një ligj të vdekur të vitit 1992 për ta amenduar në funksion të "Luftës kundër pronësisë". Ǒ është më e keqja, ligji që propozon qeveria, kërkon t‘i mbrojë investitorët e huaj jo nga dhuna e qeverisë apo e kujtdo tjetër, por nga gjykatat e Republikës. Sipas këtij ligji, gjykatat nuk "kanë ç‘t‘i bëjnë më" këtyre pronave edhe kur mbi ta ka pretendime të ligjshme. Ky është kulmi i skandalit juridik që një qeveri mund të kryejë ndonjëherë. Për hir të së vërtetës, skandale të tilla kanë ndodhur edhe më parë në këtë qeveri kur me dhunë u ndryshua ligji për regjistrimin e pronës, ligi për kthimin e kompensimin e pronës, ligji për legalizimet, ligji për verifikimin e pronësisë mbi tokën bujqësore, si dhe një sërë aktesh nënligjore që në mënyrë antikushtetuese cenojnë të drejtën e pronësisë në këtë vend. Reagimi për këto ligje ka qenë i dobët prandaj dhe qeverisë i është krijuar terreni të bëjë ç‘të dojë më pronën në këtë vend. Sigurisht që pjesën e saj të fajit e ka opozita shqiptare, e cila nuk u vu asnjëherë në krye të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë mbi këtë vend.
Ligji për mbrojtjen e investitorëve të huaj prej zbatimit të ligjeve nga ana e gjykatës të shtetit, është një nismë diskriminuese dhe antidemokratike. Shqiptarët sot, sipas këtij ligji mund ta mbrojnë pronën e tyre nga shtetëzimi i mundshëm ose duhet ta kenë mirë me Kryeministrin (se me qeverisë nuk mjafton) ose të ndërrojnë shtetësinë e bashkë me të edhe emrin (mundësisht duhet që mbiemri t‘u mbarojë me "-viç" ose "-nis". Si mundet që një qeveri sovrane të shtetëzojë pronën e shqiptarëve dhe të mbrojë pronën e të huajve? E drejta kërkon që minimalisht prona e të huajit dhe prona e shqiptarit të kenë të njëjtin status dhe të mbrohen njësoj nga çdo sulm i paligjshëm dhe antidemokratik. Ndërsa me këtë ligj, qeveria mbron pronën e Fazlliçit dhe të ca të tjerëve si puna e tij që janë shtuar shumë këto kohë, nga gjykata e shtetit në emër të principit të ruajtjes së investimeve, duke sulmuar pa asnjë princip demokratik pronën e çdo shtetasi shqiptar. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është, çfarë qeverisje kemi, shqiptare apo antishqiptare?
Me sa duket kemi hyrë në një fazë regresi. Kemi një qeveri që bën ç‘të dojë dhe një opozitë të pafuqishme për ta ndalur atë. Partitë politike që deri më sot bënë gam-gam në emër të të drejtës së pronësisë, po shijojnë frytet e pronave të shtetësuar duke qenë në qeveri me shtetëzuesin. Nëse ka çështje për të cilën jo thjesht shteti, por të gjithë ne ngelim në klasë para çdo shteti Europian, prona është njëra prej tyre. Europa mund të "tolerojë" siç po bën për zgjedhjet, por nuk mund të tolerojë për shkeljen e të drejtës së pronësisë. Dhe këtë e bën jo për të na ndihmuar ne po për të na detyruar të sillemi demokratikisht korrekt. Prona është e drejtë themelore dhe si e tillë ajo nuk mund të preket me kaq lehtësi nga shteti. Edhe kur shteti duhet të ndërhyjë për të zhvendosur një padrejtësi (siç pretendon Berisha formalisht) është gjykata dhe kurrë qeveria, vendi ku gjykohen padrejtësitë. Në këto kushte i takon shoqërisë që të reagojë sa herë që qeveria merr padrejtësisht prona e dikujt, kushdo qoftë ky ai (dikushi). Të gjithëve na intereson zgjidhja e çështjes së pronësisë, por mbi të gjitha na intereson zgjidhja me drejtësi dhe jo me padrejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›