Arma e quajtur Messi

Në një skuadër të fituesve të Kampionatit botëror dhe Evropian, Lionel Messi është ende ylli kryesor. Argjentinasi mund të mos fitojë tituj ndërkombëtarë sikurse bashkëkombësi i tij, Diego Maradona ose bashkëlojtarët nga Barcelona, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta, por ishte talenti i tij që siguroi fitoren në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit të dielën.
Dy herë futbollisti më i mirë i vitit në botë shënoi një gol dhe përgatiti një tjetër në fitoren 3-1 që dëshmoi se ai e meriton një vend në mesin e legjendave të futbollit. Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola tha se Messi është “futbollisti më i mirë që kam parë e ndoshta edhe më i miri do të shoh ndonjëherë”.
Edhe menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson pranoi se ishte Messi, ai që i krijoi më së tepërmi telashe skuadrës së tij. “Nuk arritëm të ndalim Messin. Nuk jam i pari që e them këtë”, deklaroi ai.
Messi, i cili mori çmimin e futbollistit më të mirë të ndeshjes shkatërroi mbrojtësit e Manchester Unitedit, gjatë takimit me depërtimet dhe driblimet e tij. Ai shënoi kur rezultati ishte i barabartë 1-1 duke gjetur hapësirën më të vogël mes qendërmbrojtësve për të shpërthyer një goditje që mposhti portierin Edwin van der Sar.
Ishte ky goli i 53-të i sezonit për Messin dhe i 12-ti i tij në Ligën e Kampionëve. Goli kishte rëndësi të veçantë meqë ishte i pari që kishte shënuar Messi në tokën angleze. Ai e përcolli atë duke e përgatitur një tjetër për David Villan që ishte i treti i Barcelonës.
Talenti i Messis është i pamohueshëm por është meritë e Barcelonës e sidomos e një trajneri si Guardiola, i cili ka ndërtuar një platformë në të cilën argjentinasi paraqitet për mrekulli. “Jam vërtet i lumtur rreth ndeshjes. Ne ishim ekip më i mirë dhe e merituam fitoren. Sfida ime e ardhshme është Copa America”, tha Messi.
Guardiola mbetet trajner i Barcelonës
Pep Guardiola dëshiron të mbetet si trajner i Barcelonës, pasi udhëhoqi ekipin drejt titullit të dytë në Ligën e Kampionëve në tre sezonet e fundit. Para se Barcelona të mposhtë Manchester Unitedin 3-1 të shtunën në Wembley, kishte spekulime se mund të jetë ndeshja e fundit e Guardiolas si trajner i gjigantit katalan.
“Synoj të mbetem edhe për një vit, e pastaj do të shohim”, tha 40-vjeçari Guardiola. Në shkurt, ai vazhdoi kontratën e tij me Barcelonën deri në fund të sezonit të ardhshëm. “E ardhmja ime do të jetë e vështirë pasi do të jem në një klub tjetër me futbollist tjerë dhe do të mendoj ‘ku janë ky lloj i futbollistëve?”, shtoi Guardiola i cili si futbollist i ndihmoi Barcelonës të fitojë kupën e saj të parë evropiane në Wembley më 1992. Guardiola ka fituar 10 tituj duke përfshirë dy Liga të Kampionëve në tre vitet e tij nën drejtimin e ekipit ku shërbeu si futbollist për 17 vite.
Festa e kthyer në dhunë
Festa në Barcelonë u shndërrua në dhunë në orët e hershme të dielën, kur së paku 18 persona janë hospitalizuar, sipas medieve lokale. Policia ka njoftuar se më tepër se 80 persona janë arrestuar për sulme ndaj zyrtarëve në drejtim të së cilëve hodhën shishe, fishekzjarrë dhe gjësende të tjera, ndërsa shkatërruan ulëset e parkut dhe stacionet e autobusit. Kacafytjet shpërthyen kur Barcelona mposhti Manchester Unitedin 3-1 në Wembley të shtunën mbrëma. Rreth 50 mijë njerëz vërshuan rrugët e Barcelonës për të festuar.