E Diel, 1 Nëntor 2026

Festë edhe për fëmijët e policëve të vrarë

Qershori e ka gjetur qytetin bregdetar të mbushur me fëmijë, dhurata, por dhe kërkesa ndaj të rriturve për të mos lënë në harresë nevojat dhe problemet e tyre. Nën moton "shkelja e të drejtave të fëmijëve gjymton të ardhmen", fëmijët e Aleancës për Fëmijë, Durrës dhe të Parlamentit Rinor kanë kërkuar që të mos jenë fasada e politikës shqiptare, por të shndërrohen në muzën frymëzuese të politikave sociale, programeve dhe strategjive për një shoqëri më të mirë drejt progresit. Një panair nevojash fëminore u prezantua për bashkëmoshatarët dhe të rriturit pranë pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu", në qendër të qytetit. Aty i është dhënë zë brishtësisë së fëmijëve në problemet që ndeshin në jetën e përditshme duke i kujtuar pushtetit vendor, politikëbërësve dhe shoqërisë civile të kthejnë vëmendjen mbi fëmijët dhe të drejtat e tyre. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit organizoi një aktivitet për fëmijët e ish- punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Fëmijë nga të gjitha qarqet e vendit, së bashku me familjarë të tyre u akomoduan që një ditë më parë, në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, në Plepa të Durrësit për të shijuar fillimisht plazhin dhe ushqimin e më pas aktivitetin festiv të organizuar enkas për ta. Në këtë aktivitet morën pjesë zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, të cilët uruan fëmijët për festën e tyre dhe i siguruan se do të kenë mbështetje të vazhdueshme nga kolegët e baballarëve të tyre të rënë në krye të detyrës. Për të gjithë fëmijët pjesëmarrës në këtë aktivitet u shpërndanë dhurata të ndryshme që i dhanë ngjyrë tjetër festës së tyre. Ndërkaq, në qendër të qytetit-port, fëmijët e të gjitha kopshteve të rrethit u prezantuan me punimet e tyre në një ekspozitë të përbashkët, e cila u shoqërua me një aktivitet artistik të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›