E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama feston 1 Qershorin me fëmijët

Lodra, dhurata, tullumbace dhe shumë përqafime e dashuri. Festë në shkollë, në shtëpi. Një listë me kërkesa për të gjitha surprizat që fëmijët kanë dashur t‘i plotësojë 1 qershori.

Bashkë me ta dje kanë festuar edhe të rriturit, prindërit, gjyshërit dhe të afërmit. Të gjithë kanë shkuar në kopsht dhe shkolla për të parë festën e fëmijëve, për të duartrokitur për punën e tyre me rastin e 1 qershorit. Qendrat tregtare, shkollat dhe shtëpitë, dje janë mbushur me dhurata dhe me të qeshura, me gëzim e shumë lumturi. Prindërit kanë uruar fëmijët, gjyshërit nipërit dhe mbesat, ndërsa politika ka uruar të vegjlit në të gjithë vendin, duke i bërë premtime e duke i shpërndarë dhurata.

Me rastin e festës së 1 Qershorit, fëmijët e vegjël në njësinë bashkiake numër 8 kanë marrë dhuratë një çerdhe të rikonstruktuar nga Bashkia e Tiranës. Me një fond prej 18.9 milionë lekësh këtyre vogëlushëve u janë krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Çerdhja numër 23 në rrugën "Siri Kodra" përveç kushteve, sipas parametrave bashkëkohorë, si ngrohje qendrore, ambienti është pajisur edhe me lodra dhe mjete të tjera didaktike. "U them të gjithë prindërve të fëmijëve, se edhe 27 ditë do të mund të bëjmë se bashku më shumë se në këto tetë vjet të marra së bashku. Ne do të mund të ndërtojmë çerdhe dhe kopshte për çdo lagje. Pas 28 qershorit nis një epoke e re për Shqipërinë", u shpreh Rama. Kryetari i bashkisë ka shpërndarë disa dhurata për këta fëmijë me rastin e festës së 1 Qershorit. Sakaq, dje festa e një qershorit ka ardhur më pak e nxehtë se vitet e tjera, me më pak diell dhe me më shumë shi, jo vetëm nga koha e paqëndrueshme dhe moti me vranësira, por edhe nga xhepat e të rriturve, të cilët kanë qenë me më pak para këtë vit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›