E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovohet Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë

Me rastin e 1 Qershorit, Ministria e Punës ka organizuar edhe konferencën vjetore për fëmijët, ku është dhënë premtimi për përfshirjen e jetimëve dhe fëmijëve të varfër, në skemën e ndihmës ekonomike. "Përmirësimi i ligjit ‘Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore‘ ka për qëllim përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike edhe të grupeve të tjera në nevojë, kryesisht fëmijë jetimë, fëmijë kryefamiljarë etj., që aktualisht mbeten të pambuluar nga skema aktuale", u shpreh Gumi. Ai theksoi rëndësinë e aplikimit për herë të parë në Shqipëri të Shërbimit të Kujdestarisë për Fëmijët. Sipas tij, "fëmijët që do të përfitojnë nga ky shërbim do të dalin nga vija e varfërisë, pasi do të mbështeten me 3$ në ditë, ose 50% më shumë se vija e varfërisë".

Në konferencë u promovua edhe Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë, nëpërmjet të cilit nevojat e të miturve anekënd vendit do të vijnë në vëmendje të profesionistëve, përmes numrit telefonik 116, iniciativë kjo e UNICEF dhe CRCA. Ministri Gumi tha se procesi për ngritjen e mekanizmit institucional për monitorimin dhe realizmin e politikave kombëtare dhe rajonale për të drejtat e fëmijëve ka përfunduar në nivel qendror dhe janë hedhur hapa për shtrirjen e tij në nivel rajonal ku, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe mbështetjen e donatorëve, janë ngritur Njësitë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. "Këto njësi funksionojnë në 4 qarqe e 11 bashki", u shpreh ai, "dhe kanë asistuar mbi 700 fëmijë në nevojë dhe familjet e tyre". Sipas ministrit të Punës, "shtrirja e njësive në të gjithë vendin dhe konsolidimi i tyre do të rrisë numrin e fëmijëve të asistuar dhe riintegruar".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›