E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë në Korçë Skënderbeu një ndeshje larg titullit

TIRANE-Skënderbeu e sheh veten vetëm një ndeshje larg titullit kampion, pas fitores 3-0 të arritur dje ndaj Vllaznisë. Në një atmosferë të jashtëzakonshme, të krijuar nga 8 mijë tifozët e pranishëm në stadium, skuadra korçare ka arritur të marrë qetësisht 3 pikët dhe në pritje të vendimit të Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Laçi-Flamurtari, ka nisur festën. Në fund të takimit, të gjithë në Korçë kanë festuar si të ishin shpallur kampionë, pasi duket e vështirë që Elbasani të marrë pikë ndaj Skënderbeut ditën e mërkurë. Një kupë prej kartoni ka qenë sinjali se tifozeria e qytetit më të madh juglindor beson më seriozisht se kurrë se titulli tashmë u arrit. Ndalesa e vetme tashmë mund të jetë Komisioni i Disiplinës në Federatë, që në fillim të javës së ardhshme do të japë vendimin në lidhje me ngjarjet e ndodhura në takimin Laçi-Flamurtari. E ndërsa vlonjatët presin 3-pikëshin në tavolinë, për të tentuar goditjen në javën e fundit, korçarët nuk besojnë shumë te kjo histori.
Ndeshja
Ashtu siç pritej, takimi i djeshëm mes Skënderbeut dhe Vllaznisë nuk ka patur shumë histori. Pa asnjë objektiv dhe me Ligën e Evropës të arritur tashmë, skuadra e Mirel Josës shkonte në Korçë thjesht për të luajtur një ndeshje që ishte në kalendar. Gjergji Muzaka hapi serinë e golave në minutën e 27-të, pas një serie sulmesh të Skënderbeut. Në fundin e pjesës së parë ka qenë argjentinasi Rafael Soza ai që ka mbyllur llogaritë me takimin, ndërkohë që 10 minuta nga starti i pjesës së dytë, pati kohë edhe për një gol të Bratiç. Me 3 pikët e djeshme Skënderbeu është ngjitur në kuotën 70, duke mbetur 4 pikë para Flamurtarit të vendit të dytë. Ç'ka do të thotë se një fitore të mërkurën ndaj Elbasanit, e kombinuar mosdhënien e 3 pikëve në tavolinë për vlonjatët, i shpall korçarët kampionë të vendit.
Flamurtari
Ndërsa Skënderbeu ka fituar qetësisht me Vllazninë, të njëjtën gjë ka bërë edhe Flamurtari përballë Tiranës. Skuadra vlonjate ka mposhtur 2-1 ekipin bardheblu, falë golave të realizuar që në pjesën e parë. Në fakt, ndeshja nuk ka patur shumë histori, pasi Flamurtari e ka nisur atë me shumë vrull, duke shënuar dy gola të shpejtë me Sebino Plakun dhe Daniel Xhafajn. Tirana arriti të shkurtonte shifrat përpara përfundimit të pjesës së parë, por vetëm kaq, pasi vendasit kanë administruar gjithçka në mënyrën më të mirë. Por, një nga momentet më interesante të ndeshjes kanë qenë sharjet e vazhdueshme ndaj Tefik Osmanit, për shkak të origjinës së tij korçare. Ai ka qenë shënjestra e tifozëve për 90 minuta. Përpos kësaj, fitorja e djeshme mund të bëhet e kotë në rast se Komisioni i Disiplinës nuk do të japë 3 pikët për ndeshjen me Laçin, e cila u ndërpre për 50 minuta për shkak të goditjes me sende të forta të portierit Shpëtim Moçka.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›