E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë për familjet e policëve të vrarë

Jo harresës së familjarëve
të policëve që ranë në krye
të detyrës. Një fundvit festiv
edhe për ta në ambientet e rikonstruktuara
të Drejtorisë së
Policisë së Qarkut të Durrësit,
të cilat kanë jehuar nga këngët
e vallet. Drejtoria e Policisë së
Qarkut të Durrësit ka organizuar
këtë fundvit një festë ndryshe
nga ajo e zakonshmja,
duke përcjellë më shumë hare
e gëzim në jetët e fëmijëve,
prindërve dhe bashkëshorteve
të atyre që dhanë jetën në krye
të detyrës. Një program i pasur
artistik, pako me ushqime
dhe lodra dhe një atmosferë e
vërtetë festive për të mbushur
sado pak dhimbjen që ka lënë
pas ndarja nga jeta e njerëzve
të dashur. "Në çdo fundvit
është bërë traditë që të gjithë
të urojmë njëri-tjetrin pas një
pune të gjatë të lodhshme, me
shumë sakrificë, po që kur jep
rezultatet e duhura i harrojmë
këto. Të njëjtën gjë bëmë pak
ditë më parë, po gjithsecili nga
ne ndjeu një boshllëk. Dikush
mungonte dhe nuk mund të
mbyllnim një vit pa uruar prindërit,
bashkëshortet dhe fëmijët
e ish-kolegëve tanë me mendimin
se ata i kemi përherë këtu
mes nesh", u shpreh drejtori
i policisë së qarkut, Ilia Nasi.
Familjarët e të rënëve në krye
të detyrës u përshëndetën dhe
nga prefekti i qarkut, Klodian
Pajuni, dhe kryebashkiaku Vangjush
Dako. Në fund të ceremonisë
festive u shpërndanë
pako dhe dhurata për të gjithë
pjesëmarrësit. Ndonëse vitet
kanë kaluar dhe shumë prej
fëmijëve të oficerëve të vrarë në
detyrë janë rritur e bërë burra,
drejtuesit aktualë të Policisë së
Durrësit thanë se i konsiderojnë
ata ende fëmijë dhe prandaj do
t‘u kushtojnë ndër vite kujdes
dhe vëmendje, së bashku me
aktorët e shoqërisë civile që çdo
herë përpiqen t‘i mbështesin
shpirtërisht dhe materialisht
këto familje. Në rang vendi
numërohen 276 fëmijë të mbetur
jetimë nga policët e vrarë
në krye të detyrës, kujtimi i të
cilëve do të jetë i pavdekshëm,
pasi u flijuan për sigurinë e
gjithsecilit. Në Komisariatin
e Policisë së Durrësit janë tre
policë të rënë në krye të detyrës
që janë shpallur Dëshmorë të
Atdheut. Ata janë Ali Shika dhe
Arben Lasku që u vranë në vitin
e trazuar 1997 dhe Ilir Gjyrdeti i
vrarë në tetorin e vitit 1990. Në
festë, si çdo vit, kanë qenë dhe
familjarët e Xhovalin Ndreut,
Nazmi Kopshtit, Muharrem
Farrukut, Esat Xhixhës, Bujar
Kastratit etj., si dhe ndonjë
polici të rënë që familja i është
transferuar në këtë qark.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›