E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti flak në “rrugë” fëmijët me aftësi të kufizuara



Jonida Tashi

Flaken në “rrugë” fëmijët me aftësi të kufizuara, që nuk përmirësohen gjatë qëndrimit prej 10 vitesh në qendrat e zhvillimit. Shteti ka vendosur që nëse fëmijët me aftësi të kufizuara nuk përmirësohen brenda një harku kohor prej 10 vitesh trajtimi gjatë qëndrimit në qendër, do të largohen prej aty. Deri tani, 16 fëmijë me aftësi të kufizuara, të trajtuar për rreth 10 vjet në qendra zhvillimi, janë kthyer në familjet biologjike. Shkak për këtë është bërë mospërmirësimi i aftësive të tyre, ndonëse ofrohet kujdes i specializuar. Mundësitë për mbajtjen e tyre janë të pakta për shkak se kapacitetet pritëse janë të kufizuara. Ndërkohë, numri i fëmijëve të tjerë që kanë nevojë për këto lloj shërbimesh është shumë i lartë. Për këtë qëllim do të bëhet rikthimi i tyre në familje për t’ua lënë vendin moshave më të vogla që mund të reflektojnë ndryshime në përmirësimin dhe integrimin e tyre.
Sqarimi
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço, sqaron se largimi i kësaj kategorie sociale nga qendrat e zhvillimit përveçse mundëson rimarrjen e tyre prej familjarëve dhe trajtimin si pjesë integrale e familjes së cilës i përkasin, krijon edhe hapësira për frekuentimin e qendrave nga persona të tjerë me aftësi të kufizuara të moshave më të hershme me synim zhvillimin, aftësimin dhe integrimin e tyre në veprimtaritë e përditshme jetësore. Fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen prej shumë vitesh në Qendrat e Zhvillimit për Persona me Aftësi të Kufizuara (PAK) dhe që ndërkohë nuk kanë marrë zhvillimin e duhur, konsiderohen një problem nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), i cili sqaron se shërbimi në këto institucione synon vetëm rehabilitimin dhe arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ndërkohë, drejtori Naço u bën thirrje familjeve biologjike që të largojnë kompleksin e turpit për të mbajtur mes tyre një fëmijë me paaftësi si dhe ta konsiderojnë atë të barabartë me pjesëtarët e tjerë të familjes së cilës i përket. Për të realizuar integrimin dhe riintegrimin e këtyre fëmijëve në familje, strukturat përkatëse kanë parashikuar pjesëmarrjen në planet e integrimit të prindërve të këtyre fëmijëve si aktorë, duke synuar trajnimin e tyre për rritjen e kulturës profesionale dhe aftësive për t’u shërbyer fëmijëve në mënyrë sa më efektive, që puna e kryer në institucion të vazhdojë edhe në shtëpitë e tyre. Gjatë vitit 2008 janë trajtuar 487 persona me aftësi të kufizuara, 338 në institucione publike (79 ditore), 149 në OJF-të.
Largimet
Pranë secilës qendër do të mundësohet evidentimi i të gjitha rasteve kur fëmijët kanë qëndruar për një kohë të gjatë, por nuk kanë marrë zhvillimin e pritshëm për t’i kthyer ata në familjet e tyre. Largimi i 16 fëmijëve me aftësi të kufizuara pranë familjeve biologjike do të mundësojë rritjen e hapësirave dhe lirimin e vendeve për ata fëmijë që manifestojnë të njëjta probleme, por që ndodhen në moshë më të vogël. Kjo shtresë paraqet më shumë mundësi që të reagojë pozitivisht ndaj kujdesit të ofruar se sa pjesa tjetër që e ka marrë shërbimin për shumë kohë dhe nuk ka shfaqur përmirësime të dukshme. Aktualisht po përcaktohen dhe detajet përkatëse në lidhje me kalimin e tyre në kujdesin familjar, ku do të ofrohet edhe aty asistencë e specializuar. Për të zbatuar një proces të tillë po procedohet me përpilimin e një kontrate me prindërit (e fëmijëve me aftësi të kufizuar) dhe përfshirjen e tyre në pagesat për shërbimet që u ofrohen fëmijëve. Këto familje do të marrin një pagesë të posaçme për trajtimin e mëtejshëm të fëmijëve në familje. Ndërkohë, do të vijohet dhe më ciklet e trajnimit dhe rritjes së kulturës profesionale të tyre në mënyrë të tillë që pas marrjes së fëmijëve në shtëpi të ofrojnë kujdesin e duhur njësoj si në qendra. Aktualisht, në të gjithë vendin janë rreth tetë qendra të zhvillimit për personat me aftësi të kufizuara që ofrojnë trajtimin dhe edukimin e fëmijëve me probleme.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›