Pagesa e kontributeve, dokumentacioni për deklarim
Jonida Tashi
Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore llogariten e paguhen jo vetëm për të përfituar pension pleqërie, por edhe për të qenë person i siguruar. Detyrimin për të paguar kontribute nuk e kanë vetëm subjektet shtetërore, por edhe ato private, sikurse edhe personat e vetëpunësuar. Personat e vetëpunësuar ose subjektet private, që duan të bëjnë deklarimin dhe pagesën e kontributeve, duhet të dorëzojnë disa dokumente për derdhjen e lekëve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka përcaktuar dokumentet që duhet të paraqiten për deklarimin dhe pagesën e kontributeve. Gjithashtu, ISSH-ja bën të ditura edhe afatet e vëna në dispozicion për kryerjen e kësaj pagese. Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar duhet t’i paraqesin dokumentet e mëposhtme jo më vonë se data 25 e muajit pasardhës. Ndërsa personat e vetëpunësuar (për vete dhe për punonjësit e paguar të familjes), duhet të dorëzojnë formularët E-SIG 011/a dhe E-SIG 012/a jo më vonë se data 25 e muajit të fundit të çdo tremujori të vitit kalendarik.
Dokumentet
Dokumentet e nevojshme që duhet të paraqiten pranë zyrave të ISSH-së për të kryer pagesën e kontributeve, sipas llojit të pensionit që përfitohet, janë si më poshtë. Kur kontributet paguhen për të përfituar pension pleqërie, të interesuarit duhet të dorëzojnë këto dokumente për të derdhur shumën e caktuar të lekëve: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj një deklaratë personale për vitet e punës; certifikatë lindjeje me fotografi; certifikatë martese për kërkueset femra; certifikatë e gjendjes familjare. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me një certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje; librezë pune ose vërtetim arkivi; vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH-së; vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish-anëtarët e saj; vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë; vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak; vërtetim për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë“. Kurse për të ardhurat personat duhet të dorëzojnë: vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim; vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit; vërtetim toke nga Kadastra; vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç; vërtetim komune për ndihmë ekonomike; vërtetim nga Tatim-Taksat; deklaratë.
Regjistrimi
Sipas ndryshimeve më të fundit, të bëra në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar: të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit; të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve, sipas procedurave të përcaktuara me ligj; të bëjnë sigurimin nga dita e parë, kur i punësuari fillon punë; të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin, ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me ligj. Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit, ndërmjet punëdhënësit, strukturave tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit të mëparshëm numër 79, për detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, këta të fundit duhet të kryenin një procedurë të gjatë ligjore për regjistrimin e të punësuarve. Personat juridikë, publikë, privatë dhe personat fizikë, që fillojnë veprimtari ekonomike për herë të parë, janë të detyruar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe në strukturat tatimore, sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, personat që nisin veprimtari ekonomike rishtas duhet të regjistroheshin në agjencitë e sigurimeve shoqërore. Regjistrimi i subjekteve, në bazë të të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe mbyllja e veprimtarisë bëhen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Regjistrimi është akt administrativ, që nuk tregon detyrim për mbulimin me sigurime shoqërore.
Dokumentet
Fotokopje e librezës së punës. Në mungesë të saj, një deklaratë personale për vitet e punës.
Certifikatë lindjeje me fotografi;
Certifikatë martese për kërkueset femra;
Certifikatë e gjendjes familjare;
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje;
Librezë pune ose vërtetim arkivi;
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH-së;
Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish-anëtarët e saj;
Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë;
Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Vërtetim për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514 datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë“;
Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim;
Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit;
Vërtetim toke në Kadastër;
Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç;
Vërtetim komune për ndihmë ekonomike;
Vërtetim nga tatim-taksat;
Deklaratë
Subjektet punëdhënëse
Subjektet punëdhënëse, formularin e deklarimit për regjistrim e shoqërojnë me:
Vendimin e gjykatës, për regjistrimin në regjistrin tregtar (vendim për ushtrimin e aktivitetit);
Certifikatën me fotografi të drejtuesit ose ortakëve të personit juridik ose fizik;
Certifikatën familjare të përfaqësuesit të personit juridik dhe të ortakëve, nëse personat deklarojnë për punësim anëtarë të papaguar të familjes;
Dokumentin e regjistrimit në Inspektoratin e Punës;
Listën e punonjësve që do të marrë në punë dhe datën e fillimit të punës.
Subjektet e vetëpunësuara
Kurse subjektet e vetëpunësuara, formularin e deklarimit për regjistrim e shoqërojnë me:
Vendim gjykate për regjistrimin në regjistrin tregtar (vendim për ushtrimin e aktivitetit);
Certifikatën me fotografi të drejtuesit ose ortakëve të personit juridik ose fizik;
Certifikatën familjare të përfaqësuesit të personit juridik dhe të ortakëve, nëse personat deklarojnë për punësim anëtarë të papaguar të familjes;
Dokumentin e regjistrimit në Inspektoratin e Punës;
Të vetëpunësuarit
Të vetëpunësuarit në bujqësi regjistrohen në regjistrat e sigurimeve shoqërore pas verifikimit nga inspektori i sigurimeve shoqërore të:
Vërtetimit të zyrës së kadastrës së rrethit për pronësinë mbi tokën;
Certifikatës së gjendjes civile;
Regjistrimi në regjistrin e kontributeve për personat e vetëpunësuar në bujqësi shoqërohet me një kopje të formularit tip.
29 Janar 2009