E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festimet e 8 Dhjetorit, finlandezët e Sunrise Avenue, në Tiranë



Kanë nisur përgatitjet për festimet e 8 Dhjetorit, ditën kur studentët u ngritën kundër diktaturës komuniste 19 vjet më parë. Ditën e martë, duke filluar nga ora 16:00, kryeqyteti do të jetë në qendër të këtyre festimeve. Mësohet se sheshi “Skënderbej” do të jetë pritësi i një koncerti të madh që do të organizohet me rastin e 19-vjetorit të ngritjes së studentëve.

Koncerti, i cili ende është në fazë përgatitore, do të ketë pjesëmarrës artistët më të njohur në vend. Njëkohësisht është konfirmuar pjesëmarrja e grupit finlandez të popit Sunrise Avenue. Grupi finlandez, i njohur për hitet e tij, do të performojë live përpara të rinjve shqiptarë. Ky grup është i njohur për shumë hite të tij, si “Welcome to ma life”, “The whole story”, “Faitytale gone bad”, “Forever yours” etj. Mësohet se ky grup do të performojë këngët e tij më të suksesshme.

Por në listën e artistëve do të jenë edhe të tjerë. Nuk do të mungojë grupi Elita 5, djemtë e të cilit do të performojnë këngët e tyre më të njohura. Në listën e artistëve do të jenë edhe Stine, Çiljeta, Rosela Gjylbeku si dhe Samanta Karavelo. Mësohet se në listë ka edhe këngëtarë të tjerë si Soni apo Elvana Gjata. Pritet që edhe artistë të tjerë t’i bashkëngjiten skenës së festimeve për 8 Dhjetorin.

Njëkohësisht, një fjalë rasti do të mbajë edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Pritet që kreu i qeverisë të falënderojë studentët si dhe të gjithë shqiptarët për sakrificën e tyre për lirinë e vendit. Ende nuk bëhet e ditur se sa do të zgjasë koncerti dhe festimet në qendër të Tiranës. Gjithsesi, organizatorët ende nuk kanë mbyllur plotësisht axhendën e festimeve, pasi pritet të ketë surpriza të tjera.

Në skenën e koncertit këngëtarët shqiptarë do të performojnë krijimet e tyre më të njohura. Ndërkaq, dekorimet prej ditësh janë vendosur në pjesë të ndryshe të kryeqytetit.

Artistët

Sunrise Avenue

Elita 5

Stine

Çiljeta

Rosela Gjylbeku

Samanta Karavelo

Soni

Elvana Gjata

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›