Poni: Mafiozët e kollarisur nuk zbehin dot punën për pushtetin lokal
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, reagoi dje pas akuzave të Partisë Socialiste, konkretisht të deputetit të zgjedhur të PS-së, Eduart Shalsi, në lidhje me pushtetin lokal. Në këtë reagim, Poni, duke e cilësuar Shalsin si pjesë e kupolës së mafies së ndërtimit, deklaroi se askush nuk zbeh punën e qeverisë për rritjen e autonomisë s pushtetit lokal si dhe rritjen e financimeve për të. “Asnjë mafioz i kollarisur, asnjë anëtar aktiv i kupolës aktive të mafies së ndërtimit, siç qartazi është Shalsi nuk mund të alterojë faktin që në mbështetje edhe të artikujve 3, 4 dhe sidomos nenit 9 të Kartës Qeveria e Republikës së Shqipërisë jo vetëm i ka kushtuar vëmendje të veçantë buxhetit lokal dhe rajonal, por edhe ka qenë mjaft e suksesshme në përmbushjen e një premtimi shumë ambicioz të saj në fillim të mandatit të parë të saj, 2-fishimin e buxhetit lokal. Në fakt, krahasuar me buxhetin vendor në vitin 2005 që ishte vetëm 19 miliardë lekë, nga këto 7.4 miliardë lekë nga mbështetja e buxhetit kombëtar, buxheti lokal në vitin 2009 paraqet jo më pak se 42 miliardë lekë ku vetëm mbështetja e pakushtëzuar nga buxheti kombëtar është 22 miliardë lekë në 2009”, - deklaroi Poni. Ai shtoi se fondet janë rritur për të gjitha shërbimet që ofrohen nga pushtetin vendor. Pasi renditi disa reforma të ndërmarra nga qeveria për pushtetin vendor, zëvendësministri i Brendshëm akuzoi më tej duke thënë se grupet mafioze nuk i kuptojnë këto reforma. “A i kuptojnë Rama dhe Shalsi këto gjera? Në fakt, a i kuptojnë grupet mafioze që ata përfaqësojnë këto gjëra? Si dhe çfarë e perceptojnë ata qeverisjen? “Nga 7 në 22 milionë, kur kjo rritje nuk është bërë asnjëherë më parë. Si mund të ngatërrojnë këta nëpunës të zellshëm të ndotjes së Tiranës, këta shkatërrues persistentë të territorit të kryeqytetit ambientin e tyre mafioz e abuziv me shëndetin që gëzon qeverisja dhe demokracia vendore shqiptare”, - tha më tej Ferdinand Poni.