E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e djathtë evropianë mbyllin punimet në Tiranë



Mbylli punimet në Tiranë mbledhja vjetore e Këshillit Drejtues të YEPP (Të rinjtë e Partive Popullore Evropiane) dhe konferenca me temë “Zgjerimi i Bashkimit Evropian” në Tiranë, e organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Ky takim miratoi edhe një rezolutë, duke konsideruar që Parlamenti Evropian e konsideron lëvizjen e lirë si një gur kilometrik të rëndësishëm për të forcuar procesin e integrimit, lëvizja pa viza kontribuon në pjesëmarrje më të madhe në tregun e lirë dhe rrit ekonominë, inovacionin dhe zhvillimin si dhe mbështet arritjet e Shqipërisë drejt integrimit në BE. “Është një nga konferencat më të suksesshme që YEPP ka organizuar deri tani dhe se të gjithë janë surprizuar pozitivisht nga Shqipëria. Është e dukshme, që Shqipëria po bën progres dhe është në rrugën e duhur drejt integrimit të Bashkimit Evropian, ndaj edhe YEPP mbështeti rezolutën e FRPD-së për liberalizim të vizave për Shqipërinë”, - deklaroi presidenti i YEPP, Laurent Schouteten. Kreu i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani, u shpreh se kjo konferencë u organizua për herë të parë në Tiranë, në prag të 8 Dhjetorit. “Kjo konferencë është shumë e rëndësishme jo vetëm për Forumin Rinor të Partisë Demokratike, por edhe për Shqipërinë. Organizohet për herë të parë në Shqipëri, duke u dhënë mundësinë përfaqësuesve të rinj të të gjitha partive të qendrës së djathtë evropiane, të shohin nga afër zhvillimet dhe arritjet e vendit tonë. Është shumë i rëndësishëm edhe fakti që u organizua në prag të 8 Dhjetorit, festës së të rinjve shqiptarë, duke treguar se edhe bashkëmoshatarët evropianë na japin mbështetjen e tyre”, - deklaroi Bodgani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›