E Diel, 1 Nëntor 2026

"Raporti i DASH, qeveria të marrë masa"

Socialistët i kërkuan dje qeverisë që të marrë masa me qëllim që të përmirësojë situatën në vend pas konstatimeve të raportit të SHBA-së. Kryetarja e grupit parlamentar socialist shprehu shqetësim se në shumë çështje nuk ka progres ose ka fare pak, në krahasim me raportin e vitit të kaluar. "Sa i takon lirisë së medias ka probleme serioze me përdorimin e medias për qëllime politike", tha Leskaj. Sipas saj, korrupsioni mbetet një problem serioz që cenon më shumë se çdo gjë tjetër liritë dhe të drejtat e njeriut. "Nuk është hera e parë që çështja e korrupsionit vjen në raportet ndërkombëtare, pas raportit të BE-së, që e quan një problem serioz dhe gjerësisht të përhapur", theksoi Leskaj. Kjo, sipas saj, tregon dështimin e kartës kryesore të ardhjes në pushtet të qeverisë, që ishte antikorrupsioni. Ajo shtoi se problem është se qeveria ende nuk ka masa konkrete për të ngritur një sistem imunitar antikorruptiv. "Korrupsioni nuk mund të luftohet kurrsesi me goditje sporadike e ndonjëherë selektive, që kthehen më shumë në "show" se sa në një luftë të vërtetë ndaj korrupsionit", theksoi kryetarja e grupit socialist. Ajo sqaroi se sipas raportit, Shqipëria mbetet një burim për trafikun e grave dhe fëmijëve, për qëllime shfrytëzimi, edhe pse më pak se vitet e fundit. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Leskaj i bëri thirrje qeverisë dhe të gjitha strukturave që lidhen me liritë dhe të drejtat e njeriut, për një reflektim të shpejtë dhe serioz ndaj këtyre problemeve, që bashkë me varfërinë po rëndojnë jetën e shqiptarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim duke ju referuar raportit të Departamentit të Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri për vitin 2007, konsideron se ky raport nxjerr në pah probleme të rënda që ka qeveria me qytetarët, në raportet e saj me pushtetet e tjera, duke përfshirë këtu gjyqësorin, mediat. "Në të njëjtën kohë, ky raport evidenton edhe një gjendje krejtësisht të pakënaqshme në çështje jetike për demokracinë, sikurse është ajo e luftës kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit, si edhe për çështje të tjera, duke përfshirë edhe atë për zgjedhje të lira dhe të drejta", konstatoi Pëllumb Xhufi. Sipas tij gjendja në të gjithë sektorët mbetet e rëndë dhe ndonjë progres i lehtë që mund të jetë bërë gjatë vitit të kaluar në ndonjë sektor të veçantë më shumë i detyrohet inercisë demokratike, sesa angazhimit të qeverisë. "Raporti thekson se gjykimi cenohet rëndë nga presioni i politikës në vend dhe në këtë rast këtu përmendet edhe shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm në një kohë kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese", tha Xhufi. Ai vuri në dukje edhe liritë akademike, konkretisht për ligjin për arsimin e lartë, dhe për reformën në Akademinë e Shkencave, të cilat janë bërë me synimin e kontrollit të këtyre institucioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›