Qendra Kinematografike miraton bordet
Qendra Kombëtare Kinematografike ka miratuar dje Këshillin e Miratimit të Projekteve për Filmin Artistik (filmi me metrazh të gjatë, me metrazh të shkurtër dhe dokumentar) dhe Këshillin e Miratimit të Projekteve për Filmin Animacion. Në bazë të kërkesës që drejtori i QKK-së, Artan Minarolli, u drejtoi katër shoqatave të kineastëve ( Shoqata Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar, Shoqata e Producentëve dhe Kineastëve Shqiptarë, Shoqata e Kineastëve Shqiptarë “Lumiere” dhe Shoqata e Kineastëve Shqiptarë) në mbledhjen e datës 8 mars, janë depozituar dhe miratuar kandidatët që do të përbëjnë edhe bordet e ardhshme artistike. Ndonëse gjatë mbledhjes u ra dakord që Këshilli i Miratimit të Projekteve për Filmin Artistik do të funksiononte me formulën 7+1, ku anëtari i tetë do të ndërrohej në mënyrë rotative në çdo mbledhje të KMP-së, realisht ky bord do të përbëhet vetëm nga 5 anëtarë, pasi shoqata “Lumiere” drejtuar nga Kujtim çashku nuk i ka paraqitur dy kandidatët e saj në afatin e përcaktuar. Kështu, bordi për filmin artistik do të përbëhet nga Teodor Laço, Esat Mysliu (propozuar nga Shoqata Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar), Bujar Lako, Agron Tufa (propozuar nga Shoqata e Producentëve) dhe Durim Neziri (propozuar nga Shoqata e Kineastëve Shqiptarë). Sipas Minarollit, ligji parashikon që bordi të jetë me 5 ose me 7 anëtarë. Në mungesë të dy kandidatëve të “Lumiere” është vendosur të jenë vetëm 5. Ndërsa shoqata e kineastëve të rinj, “Belmond”, do të marrë pjesë me 2 anëtarë vetëm në rastin e shqyrtimit të projekteve për filmin e shkurtër artistik. Po dje është miratuar edhe Këshilli i Miratimit të Projekteve për Filmin Animacion prej 5 anëtarësh të propozuar nga shoqata e krijuesve të animacionit shqiptar “Albanimation”. Anëtarët janë: Albri Brahusha, Valter File, Jani Duri, Leonard Dori dhe Agron Mesi. Sipas Minarollit, takimi i parë do të mbahet nga fundi i javës së ardhshme, ku do të diskutohet mbi mënyrën e votimit e më tej do të vazhdojë seria e mbledhjeve që do të marrin në shqyrtim hartimin e projekteve.
#