E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Folklorik, me 900 artistë

Festivali Folklorik i Gjirokastrës do të nisi më 24 shtator dhe përgjatë një jave në skenën e kalasë shekullore të qytetit në jug të vendit artistë popullorë nga i gjithë vendi dhe diaspora do të shpalosin meloditë, këngët, vallet që janë ruajtur brez pas brezi. 900 artistë nga 12 prefekturat e Shqipërisë dhe diaspora do të marrin pjesë në këtë festival tradicional. Ndërsa është vendosur edhe se cilët do të jenë anëtarët e jurisë. Krahas konkurrimit, gjatë ditëve të aktivitetit do të zhvillohen tryeza shkencore, ku do të diskutohet për problemet e folklorit e festivalit, si edhe do të ketë promovime botimesh të kulturës popullore. Përgjatë ditëve të tij do të zhvillohet edhe një tryezë diskutimesh mbi kulinarinë (tradita e gatimit sipas trevave), ekspozita të veshjeve tradicionale, ekspozita të librit etj. Ndryshe nga edicionet e kaluara, këtë vit është shtuar koha e konkurrimit në skenë, nga 20 minuta që ishte në festivalin e kaluar, këtë edicion do të jetë 30 minuta. Për të ruajtur raportet në zhanret e folkut, është synuar në prurjet e riteve pagane, pasi aty është edhe baza e fillesës origjinale të folklorit. Të gjithë artistët pjesëmarrës janë të detyruar të ngjiten në skenë vetëm me kostumet e krahinës që përfaqësojnë, duke qenë se nga buxheti i shtetit është dhënë një fond enkas për të siguruar dhe për të prodhuar kostume popullore. Skena e festivalit si ngaherë do të jetë kalaja shekullore e Gjirokastrës, që shtrihet në këmbët e Malit të Gjerë. Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës, në vitin 1957.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›