E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Kombëtar i Iso-Polifonisë



Mbi 200 këngëtarë dhe valltarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë marrin pjesë në edicionin e tretë të Festivalit Kombëtar të Iso-Polifonisë, i cili, me vendim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zhvillohet sivjet jo më në Vlorë por në Berat. Aktiviteti në fjalë, i cili do të zgjasë gjithsej tri ditë, organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike pranë MTKRS-së. Bëhet e ditur se krahas këngëve dhe valleve pritet me interes edhe shfaqja e kostumeve karakteristike të zonave të ndryshme që marrin pjesë në festival. Ndërkaq, edhe Vlora nuk tërhiqet nga organizimi i festivalit iso-polifonik, të cilin e kishte shndërruar në traditë. Pas debatesh të shumta dhe mosgjetjes së një kompromisi me Ministrinë e Kulturës, Bashkia dhe Qendra Kulturore e Vlorës kanë vendosur ta zhvillojnë këtë festival në qytetin e tyre me ato fonde që kanë në dispozicion. Me këtë rast do të mund të shohim nëse kanë qenë të drejta shqetësimet e specialistëve për një rënie të nivelit të këtij festivali që do të shkaktohej sipas tyre nga zhvendosja e aktivitetit në Berat, ku mungon personeli i specializuar enkas për këtë punë.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›