“Rruga e Dibrës ose Broadway” i Kosta Dhamos
Faslli HALITI
Në magazinën e letërsisë shqipe, përmbledhja me tregime “Rruga e Dibrës ose Broadway”, e shkrimtarit Konstandin Dhamo, përbën pavijonin narrativ më me jetë, e jo vetëm më me jetë, por më me jetë shqiptare; me personazhe e mjedise shqiptare të djeshme e prezente, me ide e filozofi të kohës. Personazhet, edhe pse asnjërin s’e shohim me qeleshe në kokë apo të veshur me gunë e me paraqitje të tjera etnografike, të gjithë kanë karakter, temperament e integritet shqiptar, por edhe tipik ballkanik e europianë. Shkrimtari përqendrohet te shpirti e jo tek etnografia apo te dekori, aparenca e këtij apo atij personazhi. Lexuesi këtë e vë re menjëherë sapo nis të lexojë faqet e para të përmbledhjes së tij dhe e ndjek autorin gjatë rrëfimit tingëllor, ritmik e koloristik, e dëgjon, bisedon, dialogon me të. Dhamo tregon, por nuk përpiqet të ndikojë me dhunë në veprimet, bëmat, mendimet, shijet, bindjet e personazheve apo të lexuesit; nuk e imponon lexuesin që të pranojë idetë, shijet, bindjet, qëndrimet e veta ndaj botës, jetës. Ai e le të lirë lexuesin që të ndalet aty ku i pëlqen, të dëgjojë ato që i duken më domethënëse e kumbuese, të aprovojë e disaprovojë, të kalojë me indiferentizëm zonat që atij i duken me pak interes. Dhamo gjithçka e jep reale, natyrshëm. Ai nuk ndreq me artin e tij, por emancipon, iluminon, të ndriçon rrugën, nuk të pajis me këmbë. Tregimet ai nuk i ka çekanë që ngulin apo drejtojnë gozhdë të shtrembëruara apo bisturi për të operuar zemrën apo trurin e njerëzve, me narracionin e tij ai bën që zemra të rrahë më gëzueshëm apo më revoltueshëm dhe truri të rrisë gjykimin dhe arsyetimin në maksimum. Pothuaj në të gjitha tregimet e librit shihet menjëherë sensi i plotë, konkret, material i fjalës. Nuk e ka fare shijen e të ashtuquajturës frazë e bukur edhe pse frazën ai e ndërton me fjalët më të zgjedhura, të paezauruara, të gjalla, gjithë estetikë, me qëllimin e vetëm që të jepet e plotë dhe bukur e vërteta, e shoqëruar kjo me hedonistikë, me sens. Optika e personazheve dhe e narratorit protagonist është e qartë, e kulluar, me kapacitet intelektual. Tregimet mund t’i marrësh si të thjeshtë, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një thjeshtësi të pasur e të thellë. Ndodh pak a shumë si me ujin e kulluar të liqenit që ta afron fundin duke të krijuar një optikë iluzore, për thellësinë apo cektësinë.
Dhamo ka një stil e teknikë kompozicionale shumë origjinale në tregimet e tij, ky origjinalitet vjen sepse autori komunikon drejtpërdrejt me jetën, me realitetin duke qenë përherë i vëmendshëm dhe i përqendruar në maksimum. Ai thith çdo gjë të gjallë, të bukur, të dobishme, si magneti që s’lë pa thithur asgjë metalike. Tregon për të tjerët dhe për veten. Zbulon virtytet dhe dobësitë e veta si dhe të tjerëve, pa asnjë lloj mëshire apo kompromisi. Në tregimet e librit, gati nuk gjen pothuaj përdorimin e asnjë flash-backm, mjet ky i formës dhe kompozicionit që përdoret zakonisht në filma, romane, novela, tregime. Kjo bën që rrjedha e tregimit të mos bëjë indietro, por të rrjedhë, siç rrjedh burimi mes gjetheve të vjeshtës dhe mes blerimit pranveror. Autori ka për zemër Paustovskin, Çehovin, Bukovskin, Mopasanin, por kur ulet të shkruajë ai ka shok vetëm veten. Tregimet janë jo vetëm polivalente, por dhe polifonike. Shkrimtari ka disa fije në dorën krijuese dhe me to thur e modelon tregime gjithë kolor, dinamikë, me përfytyrime të pastra qytetare edhe kur ato vijnë nga bota rurale. Tregimet e Dhamos nuk janë të homogjenizuara, ato krijohen e zhvillohen nën diellin e zemrës dhe seliten nën një kujdes tepër racional. Kjo i bën të kërkuar tregimet e tij midis morisë së tregimeve të modifikuara, të homogjenizuara që qarkullojnë në tregun libror. Tregimet flasin shqip, kundërmojnë erë bliri, kanë fërfërimën e plepave, shelgjeve të peizazheve tona plot fole zogjsh, kanë vrullin e lumenjve tanë, nervin dhe bonsensin shqiptar. Janë tregime alerte. Në to has së pari realizmin lakuriq e të ashpër, por aty-këtu dhe hiperrealizmin, morinë e detajeve si sytha me lulen dhe frutën në gojën e fjalës. Por këto detaje dhe imtësi ruajnë masën gjer në atë pikë sa të mos mbysin e të mos konkurrojnë dhe eklipsojnë personazhet që sundojnë të gjallë dhe ekspresivë në të gjitha tregimet e librit. Personazhet merren kryesisht nga jeta ose nëpërmjet ngjarjeve që ndodhin e tregohen. Këta personazhe të krijuara me thjeshtësi, me sintagma dhe fraza të gjalla, të ngjyrosura me fjalë dhe lokucione narrative, të godasin në shpirt në mënyrë të beftë, sa ti ke dëshirë të rrish e të kolokohesh mes tyre. Personazhet janë të individualizuar dhe jo skematikë. Të individualizuara në kulm janë personazhe të tillë si Vinçierja, banale dhe delikate, sipas mjedisit; Meri, librarja e bukur që bën një martesë surprizë e të beftë; Silvi, poetesha apokrife; Semi që më në fund martohet pas një operimi të rëndë; Aksinja që harbon në çdo muaj prill grunjave të kooperativës me gazetarin e internuar; Fatma lubia, lakmuesja e lavdisë letrare; Ed Fregeni i dashuruar që pranon se s’ishte dhe aq e rëndë ndarja; doktor Kondi me ndërgjegje dhe përgjegjshmëri të lartë profesionale, i gjendur e human; Sara, bestsellerja që shkruan romane si Daniel Steel, për lavdi dhe para dhe përkrahet nga disa filistinë; por mbi të gjithë spikat shefi i Shtabit, edhe pse ushtarak, tolerant dhe pa korniza të disiplinës së bezdishme ushtarake; marinari poet që gëzimi i botimit të librit të parë iu kthye në kob dhe e degdisi në ishullin e Sazanit duke iu kthyer në një dramë fatale, muratori që u ngrit në detyrë, gjer në majën e piramidës së artit, i shastisur nga lartësimi i papërballueshëm, marramendës, duke harruar të ecë përfundon në rrotat e një makine, pranë Monumentit të Partizanit të Panjohur; Gëzim Gjergji, lakmues i protagonizmit, Leifenist, autor i teknologjisë Leifeniste të heroizmit; dramaturgu që i traskuruar nga shteti dhe bosët vendos të botojë dramat me lekët e hequra mënjanë për varrimin e tij duke menduar se pas botimit të dramave do të bëhej i pavdekshëm. Disa nga personazhet përdorin fjalë banale, por që nuk tingëllojnë banale brenda kontekstit, gjendjes së krijuar në çastin e përdorimit të tyre. Madje disa nga banalitetet tingëllojnë të pranueshme si kur përdoren brenda kontekstit, edhe kur përdoren jashtë tij, më vete. Lexuesi i pranon si të natyrshme shprehjet: Taksisti kishte vënë një kasetë me recitimin e poemës “Kallashi”. Autori i poemës dhe shoku i tij në taksi, pasi dëgjojnë recitimin e poemës, e pyesin taksistin: “Po si e ka emrin autori, e di ?”. “E kush ia qiu t’ëmën...” Këtu shprehja nuk tingëllon aspak banale, sepse thuhet natyrshëm, pa të keq. Po kështu shprehjet e hetuesit: “Të dhjefsha librin ! Tani shporru! Tani t’u fry ty të paraqitesh?”, duke u thënë natyrshëm, në nervozizëm e sipër, nuk tingëllojnë banale, por prepotente. Tjetër është kur disa krijues i mbushin tregimet apo poezitë e tyre gjithë fjalë banale, për t’u treguar të kohës e modernë. Ata janë jo vetëm të panatyrshëm në përdorimin e banaliteteve, por dhe imitues të rëndomtë të autorëve me emër. Dhamo nuk ka vetëm temperamentin e revoltuesit, protestuesit, por edhe të një vëzhguesi jo skeptik e të qetë me natyrë të thellë e të gjerë njerëzore. Autori nuk e përsërit, por e pasuron veten nga tregimi në tregim me prurje të reja. Edhe kalimi i ndonjë motivi nga poezia në tregim tregon se ai nuk i ndahet poezisë edhe kur shkruan tregime. Karakteristikë e dukshme në të gjithë librin dhe krijimtarinë e Dhamos është prania e peizazhit. Peizazhi vendoset kudo në hapësirat e tregimit ose në fillim ose në mes ose në fund si konkluzion qetësues apo sinjifikativ. Kjo prani e peizazhit nuk është manieriste apo romantizante, ajo buron natyrshëm nga shpirti ekologjist i shkrimtarit. Edhe në jetën e përditshme Konstandin Dhamo ndalet dhe sodit mahnitshëm një copë blerim, një radhë me plepa, kavakë, rrape buzë rrugës, trotuarit, bulevardit dhe kënaqet si me leximin e një poezie, tregimi apo si me dëgjimin e një sonate, simfonie, por edhe revoltohet kur për të vendosur një tabelë reklamë apo për të mos i zënë pamjen vitrinës së dyqanit, njerëz të papërgjegjshëm i presin ose i thajnë pemët. Kjo dashuri për natyrën është në çdo ind të tregimeve dhe s’ka të bëjë me hipokondrinë e autorit. Kjo dashuri për natyrën jepet magjistralisht në tregimet “Kumbullat e kuqe”, “Ed Fregeni”, “Pjergulla”, “Lasgushi, Rrugicë tiranase”, “Prilli i një Aksinje” etj. Si dhe në poezinë e tij, shkrimtari dënon e demaskon me intransigjencë imoralitetin politik e dyfytyrësinë ideologjike të atyre që dje ishin të parët në shembjen e kulteve fetare dhe sot i sheh duke u falur të dielave në kishë apo ditët e xhumave në xhami. Janë të famshëm për këtë tregimet “Të dielën në mëngjes”, “Qoftexhinjtë e presidentit”, “Një teknologji heroizmi” etj. Shkrimtari është në anën e ndryshimit, por jo me kthesat pelivaneske, xhongleriane të të pafytyrëve. Një karakteristikë tjetër është edhe mungesa e emrave në disa tregime, ku në vend të emrit të personazhit ai përdor një ndajshtim të veçuar për ta bërë më të gjallë, më interesant personazhin ose për ta mbajtur mend më lehtë, autori në vend të emrave thotë: muratori, shefi i shtabit, poeti marinar, dramaturgu, vinçierja, qoftexhinjtë... Ka dhe tregime tablo, ku s’ka emra, por ka diçka poetike, pak nostalgji për atë që s’është më në rrugicë, në periferi dhe për ndryshimet në peizazh e aty - këtu në natyrë. Në përmbledhje ka dhe ndonjë tregim si “Libri i parë”, që preston për roman apo ka staturën e romanit. Proza e Konstandin Dhamos, sidomos tregimi, nuk duhet kaluar me një lexim vertikal sa për t’u kontrolluar ose sa për të marrë informacion. Edhe pse krijimtaria e Dhamos është një krijimtari realiste, realizmin ajo nuk e përcjell varfërisht, por me shtresime të dendura e fine artistike. Proza e tij është e kondensuar, ajo s’të lë t’i kalosh shkel e shko fjalët, pasi çdo fjalë ka funksion kuptimor, estetik, edukues, hedonistik në krejt tekstin. Ka një mendjemadhësi të disave që kanë marrë kot e traskurojnë kolegët që ose nuk i lexojnë ose hiqen sikur s’i lexojnë dhe kështu e kanë më lehtë që të flasin rroma për toma, gjuhë që e ka tallur prej kohësh Servantesi. Me Dhamon ndodh si me Paustovskin që nuk të lë të ecësh më tej, sikur të kapërcesh qoftë edhe një fjalë. Autori dashuron njëherësh idenë dhe fjalën. Duke qenë se është fjala ajo që bën të duket qartë mendimi, ideja, filozofia, autori impenjohet shumë me fjalën. Në libër ka shumë fjalë që përdoren nga ky autor për herë të parë. Këtë autori e bën me guxim, pa merakun se kjo e vështirëson tekstin, kuptimin; përkundrazi ky është më tepër një pasurim se sa një vështirësim, kështu që ia vlen barra qiranë që lexuesi të lodhet pak e të ketë durim.
17 Dhjetor 2008