Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve provokon me markezin de Sade
Kohët e fundit, shtëpia botuese “Zenit” bën të ditur se ka botuar librin “Filozofia në odën e pasqyrave” të autorit Donatien Alfons François de Sade. Kjo vepër është cilësuar nga kritika dhe opinioni botëror si tronditëse deri në kufijtë e tmerrit. Kemi të bëjmë me atë që gjatë kohës kur autori shkroi librin është konsideruar si filozofi e çmendur dhe sadiste. Seksi, orgjitë, bota e çmendur pa kufij morali, janë ato që shfaqen dhunshëm në këtë libër shokues. Përkthyesi i kësaj vepre nga frëngjishtja është shkrimtari (kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë) Hysen Sinani. Sa u përket referencave, një autor i njohur si Georges Batalle është shprehur mbi këtë vepër: “Për ata që duan t’i shkojnë deri në fund njohjes së njeriut, të lexosh veprën e Sade-s është jo vetëm e këshillueshme, por e domosdoshme”. Histori, filozofi, orgji e seks të shfrenuar, etja për kënaqësi që të çon deri në eksplorimin e të pamendueshmes, për të shkuar më pas një fije larg krimit apo dhe përtej tij deri në sadizëm... pasqyra e një realiteti të ndaluar, të fshehtë, sa imagjinar aq dhe i prekshëm në kohët e shkuara, por edhe në ato sotmet, është ajo çka ofron mes të tjerash vepra e markezit Sade. Nga botuesit, ky libër konsiderohet si një botim i veçantë për një lexues të zgjedhur. Ai nuk mund të lexohet nga moshat e reja dhe adoleshentët pasi mund t’i trondisë me themel personalitetet e tyre, duke qenë se ka arritur të trondisë jo pak në të kaluarën edhe lexuesin e formuar.
17 Dhjetor 2008