BKD: “Rrëzimi i Dosjeve, shërbim i Kushtetueses ndaj komunizmit”
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi ligjin për Lustracionin. “Me vendimin e saj, për rrëzimin e këtij ligji, Kushtetuesja i bëri dje shërbimin e fundit diktaturës komuniste. Gjashtë anëtarëve të kësaj gjykate sivjet u mbaron mandati 9-vjeçar, i cili është i parinovueshëm, por ata zgjodhën që të largohen duke i shkaktuar një dëm të fundit vendit dhe një njollë më shumë shërbimit të tyre të turpshëm”,- tha Roshi. Më tej, ai shtoi se ligji i Lustracionit është një nga ligjet më të nevojshme për Shqipërinë. “Ai duhet të ishte miratuar dhe të kishte hyrë në fuqi shumë vite më parë, jo për të cenuar interesat e individëve të veçantë, por për të ndihmuar progresin e shoqërisë dhe për të respektuar edhe rezolutën e KE për dënimin e krimeve të komunizmit. Megjithatë, PBKD mendon se mazhoranca duhet të tregohet aktive në riaktivizimin e shpejtë të ligjit. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese u pa qartë forca e lidhjeve të individëve që kanë pushtet me të shkuarën”,- tha kreu i BKD.
Duke shtuar më pas se PBKD i bën thirrje Presidentit që në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhshëm për në Gjykatën Kushtetuese të ketë parasysh me shumë vëmendje, të shkuarën e kandidatëve dhe lidhjet e tyre me regjimin komunist. “Sepse ata do të jenë nesër gjykatësit që do të përballen me ligje të tjera në dobi të shoqërisë shqiptare, të cilat, gjykata e tanishme, vendosi ti rrëzojë për interesa të klaneve politike kriminale në historinë e vendit”,- përfundoi Roshi.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010