E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish–të përndjekurit: “Kushtetuesja mbrojti komunizmin”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ish-të përndjekurit politikë e cilësojnë absurd vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i hedhur poshtë me votë unanime nga ky institucion dy ditë më parë. Përfaqësues të shoqatave të tyre, sqarojnë se marrja e një vendimi të tillë ndaj zbardhjes së krimeve të komunizmit nga kjo gjykatë nuk përbënte aspak risi. Dhe argumentin e tyre ish-të burgosurit politikë e bazojnë në konfliktin e interesit që, sipas tyre, trupa gjyqësore kishte për marrjen e një vendimi ndaj ligjit. “E prisnim këtë vendim që në gjykatë, ku 6 nga anëtarët e saj kanë konflikt interesi dhe kanë dhënë vendime deri me vdekje për të pafajshëm gjatë sistemit totalitar, siç është dhe rasti i Fehmi Abdiut, i cili urdhëroi varjen e poetit Havzi Nela”, - shprehen ish-të përndjekurit. Ata janë të vendosur për të kërkuar deri në fund zbatimin e këtij ligji që, sipas tyre, e rendit Shqipërinë ndër të vetmit vende ish-komuniste ku ende nuk janë zbardhur krimet e bëra gjatë 50 viteve të diktaturës. Sipas tyre, ky ligj nuk synonte as të shëronte plagët e vjetra dhe aq më tepër hakmarrjen ndaj funksionarëve të lartë që ende dhe sot shprehen ata, janë në poste drejtuese, por nëpërmjet tij synohet që vendi të ndahet nga e kaluara e errët totalitare. Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese për ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë, u mor pas ankesave që Partia Socialiste, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve bënë pranë këtij institucioni.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›