Festivali i 48-të në RTSH, sot nis nata e parë
TIRANë- Sot në mbrëmje në orën 20:30 do të nisë nata e parë e Festivalit të 48-të të Këngës në RTSH, ku do të nisin konkurimin 18 artistë të njohur të këngës. E gjithë mbrëmja do të ofrojë për spektatorët një spektakël të vërtetë, duke filluar nga grupet e balerinëve të ftuar, ashtu dhe nga prezantuesit Alban Skëndëraj e Miriam Cani. Mbrëmja e dytë do t`i kushtohet e gjitha artistëve të rinj, ku vetëm dy prej tyre do të kalojnë në natën finale përkrah emrave të njohur.Ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak orë nga fillimi i natës së parë të Festivalit të 48-të të Këngës në RTSH, Pallati i Kongreseve është pushtuar nga ethet e pjesëmarrësve dhe organizatorëve të eventit më të rëndësishëm të vitit në fushën e muzikës. Në ditën e fundit të vlefshme për provat, në sallë, në skenë e kudo në këto mjedise, kryefjalë janë notat muzikore, disa pjesë tekstesh, veshjet e artistëve, e shumë si këto.Në skenë artistët ngjiten me të njëjtat emocione që rezervojnë dhe për mbrëmjen e sotme, duke gjetur gjuhën e përbashkët me orkestrën, e cila këtë vit do të jetë e tëra live. Selim Ishmaku, udhëheqësi artistik i Festivalit të 48-të të këngës në RTSH, tha se "provat e fundit po ecin jashtëzakonisht mirë. Aktualisht po bëjmë përgatitjet e fundit dhe mund të them se ky festival na bën të ndihemi krenarë të gjithëve”.Ajo çka Ishmaku dëshiron të theksojë në këtë prag festivali është se "këtë vit një orkestër e madhe do të interpretojë e gjitha drejt për së drejti. Për të arritur një rezultat të mirë të kësaj iniciative kemi vendosur rreth 50 mikrofona vetëm për orkestrën”. Njëlloj si një vit më parë dhe sivjet në natën e tretë të festivalit të 20 këngët do të interpretohen në duete të zgjedhura nga vetë artistët. Ndërkohë që surpriza të shumta rezervohen për natën finale, ku do të zbulohet dhe emri i fituesit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Grupi realizues i festivalit përbëhet nga emra të njohur dhe me përvojë në festivale të tjera. Drejtoreshë e festivalit është Zamira Koleci, regjisor Osman Mula, udhëheqës artistik, Selim Ishmaku, ndërsa skenari është shkruar nga Genc Ymeri.(m.a/BalkanWeb)