Festivali i Këngës në RTSH, sonte pritet kënga për në Eurosong
Edicioni i 48 i festivalit, nata e fundit ngjit në skenë këngët finaliste
Nata e tretë në edicionin e 48-të të Festivalit të Këngës në RTSH solli në skenë këngët e festivalit në një version tjetër. Ishin pikërisht duete me këngëtarë, që nuk ishin konkurrentë në festival, të cilat i sollën një ngjyrë tjetër këtij evenimenti të këngës së lehtë shqiptare. E cilësuar nga organizatorët si një natë spektakël, ajo veç dueteve solli dhe një atmosferë ndryshe nga netët e tjera. Nata e tretë pati thuajse të njëjtën strukturë, si nata e dytë e festivalit të kaluar.
Këngëtarët big ishin të shoqëruar nga të tjerë emra të muzikës shqiptare, duke kthyer disi nostalgjinë e viteve të shkuara. Këngëtarët ishin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Ata ishin figura që kanë zënë një vend në historinë e muzikës shqiptare, dhe sipas organizatorëve ata ndoshta janë tërhequr disi nga aktiviteti muzikor, ose nga festivalet e fundvitit. Dueti i parë që startoi ishte Iris Hoxha dh Kelly me këngën Zërin tim ta ndjesh me kompozim të Edmond Rrapit, tekst të Ledi Shqiponjës, dueti i dytë ishte Guximtar Rushani dhe Agim Poshka me këngën Gëzuar me kompozim të Agim Poshkës, por për publikun në vijim erdhën dhe këngëtarë si Kamela Islami, Juliana Pasha, Erga Halilaj, Mariza Ikonomi, Era Rusi, Flaka Krelani etj, të cilët erdhën para publikut në natën e tretë të festivalit. Dy prezantuesit, të cilët dhe vetë janë këngëtarë Miriam Cami dhe Alban Skënderaj e hapën me një këngë të kënduar nga vetë ata natën e tretë të festivalit. Ndërkohë që këngëtarët profesionistë janë gjithashtu emra të njohur të skenës dhe ekranit si, Ajeza Shahini, Teuta Kurti, Rovena Dilo, Kejsi Tola, Eliza Hoxha, etj. Këtë vit festivali u zhvillua në vigjilje të Krishtlindjes, duke iu shtuar atmosferës së festës tradicionale dhe atë të këngës. Festivali i Këngës në Radio-Televizionin Publik Shqiptar, i cili mbërriti në edicionin e 48 këtë vit, risi ishte dhe rikthimi i natës së të rinjve. Ishin 18 këngëtarë të rinj, të cilët patën mundësi të garojnë përgjatë natës së dytë të festivalit dhe vetëm njëri prej tyre ishte fituesi. Ai u fut automatikisht në natën finale, duke pretenduar kështu edhe për çmimin e madh. Por nga eksperienca e viteve të fundit, ka rezultuar se, kanë qenë pikërisht këngëtarët e rinj ata që kanë fituar çmimet e para, duke filluar që me Anjeza Shahinin, tek Luiz Ejlli, Olta Boka e Kejsi Tola. Të gjithë e kishin prekur për herë të parë skenën e festivalit. Sot ata janë bërë këngëtarë shumë popullorë, në Festivalin Evropian. Nata e të rinjve në edicionin e 48-të Festivalit të Këngës në RTSH çoi në finale dy emra të rinj këngëtarësh. Goldi Halilaj dhe Iris Hoxha janë dy këngëtaret e përzgjedhura nga juria e festivalit për të garuar për çmimin e madh. Ndërkohë nata e mbrëmshme iu dedikua tërësisht dueteve. Njëzet artistët pjesëmarrës interpretuan këngët e tyre në duet me artistë të tjerë të zgjedhur nga vetë ata. Festivali i 48-të i këngës në RTSH solli në dy netët e tij të para 36 këngë të reja nga artistë të njohur dhe të rinj. Nën regjinë e Osman Mulës, drejtim artistik të Selim Ishmakut, skenografi të Carlo Cane në natën e parë konkurruan këngëtarë e kompozitorë të njohur. Sonte do të jenë në garë kompozitorë si Agim Krajka, Ardit Gjebrea, Adrian Hila, Pirro Çako, Dorian Nini, Endri Sina, Kristi Popa, Bojken Lako, etj, të cilët ua kanë besuar krijimet e tyre këngëtarëve si Juliana Pasha, Rovena Dilo, Anjeza Shahini, Kejsi Tola, etj. Ndërsa nata e dytë vijoi me 18 këngëtarë dhe grupe të rinjsh, të cilët e rikthyen traditën e natës së të rinjve në festival. Vlerësimi i këngëve i është besuar emrave të njohur të artit shqiptar, si Luan Zhegu, Zana Çela, Saimir Braho, Flamur Shehu e Agron Tufa. Sonte në mbrëmje do të jetë dhe nata finale e festivalit, ku juria do të përzgjedhë këngën dhe këngëtarin më të mirë që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2010 në Oslo të Norvegjisë. E në fakt prurjet e këtij viti kanë qenë të shumta, ku gjithsej janë paraqitur 78 këngë, nga të cilat janë përzgjedhur 18 që i takojnë kategorisë profesioniste dhe 18 të tjera që janë në kategorinë e të rinjve. Gjithashtu i veçantë është edhe mendimi që këngëtarët e vjetër dhe me emër iu shtua statusi i të ftuarit në festival, pra për të përshëndetur. Në këtë mënyrë ata i rikujtojmë dhe risjellin në skenë e në kujtime ato emocione apo përvojat që ata kanë pasur përgjatë viteve. Kështu, përveç të tjerash të ftuar do të jenë figura të shquara të artit dhe të fushave të ndryshme, u shpreh drejtori artistik Selim Ishmaku. Në natën e parë, të dytë, dhe të katërt është interpretimi live, ndërsa në natën e tretë për shkak të dueteve ai ishte playback. Njëkohësisht nata e tretë pati grupe, kuartete, ku ishte një hapësirë e madhe e këngëtarëve e kombinuar dhe me grupe baleti etj, ndaj edhe ishte menduar një mënyrë e tillë interpretimi.
Sonte nata finale e edicionit të 48 të festivalit Gjatë natës finale do të ngjiten në skenë 19 konkurrentët, pra të gjithë këngëtarët big dhe fituesi i të rinjve. Ata do të shoqërohen edhe sonte nga Orkestra e Radio Televizionit, e cila është e gjitha live, duke mënjanuar kështu një nga problemet më të mëdha të këtij festivali. Edhe pse interpretimi live mbahet si pika më e fortë e këtij aktiviteti, krahasuar me festivalet e tjera, prej vitesh vetëm një pjesë e saj ka qenë efektive, ndërsa tjetra ka qenë figurante në skenë. Këtë vit orkestra jo vetëm që e gjitha luajti drejtpërdrejtë, jo vetëm harqet, por edhe frymorët, etj, por ishin edhe katër back vokale, që shoqëruan këngëtarët konkurrentë. Çdo këngë ishte e shoqëruar me performanca skenike. Çdo njëra prej tyre ishte e shoqëruar me imazhe të veçanta, që lidhen drejtpërdrejtë me mesazhin e këngës, duke u shoqëruar me efekte të ndriçimit dhe koreografisë. Për koreografinë këtë vit është kujdesur koreografi Julian Bulku, i cili këtë vit u kujdes për paraqitjen skenike të përfaqësuese shqiptare në Festivalin Evropian, Kejsi Tola. Një rëndësi të veçantë në këtë aktivitet pati dhe skenografia, e cila i është besuar një skenografi të huaj. Bëhet fjalë për skenografin italian Karlo Cane, i cili ideoi skenën e këtij viti. Ndërkohë që në lidhje me prurjet e këtij festivali sipas organizatorëve ato vijnë tejet interesante dhe përbëhen nga kompozitorët e këngëtarët më të mirë shqiptarë, duke filluar që nga Edmond Zhulali, Pirro Çako, Ardit Gjebrea etj. Nata finale, siç edhe është kthyer në traditë, rezervon edhe surpriza, të ftuar specialë etj, të cilët do të zbulohen gjatë mbrëmjes së sotme. Por surpriza më e madhe do të jetë fituesi i festivalit, i cili na përfaqëson për të shtatën herë në Eurosong. Ndërkohë një moment tepër i rëndësishëm është edhe ndarja e çmimeve, pra vlerësimi që do të jetë sonte. Ky i fundit shpallet nga juria profesioniste, e cila do të japë tre çmime fitues përkatësisht, i pari, i dyti dhe i treti. Ndërsa për sa i takon teksteve, shumica e tyre i takon dashurisë, por kishte dhe grupe të të rinjve, ku në to u trajtoheshin problemet e tyre rinore dhe tema të tjera të kësaj natyre që lidhen me realitetin ku jetojmë. Një vit më parë Kejsi Tola me këngën "Më Merr Në Ëndërr" e kompozuar nga Edmond Zhulali dhe me tekst nga Agim Doçi mori çmimin e parë në këtë edicion. Këngëtarja 16 vjeçare, fituesja e konkursit "Ethet" një vit më parë arriti të merrte pëlqimin e një jurie ndërkombëtare në këtë festival, duke u pëlqyer edhe nga kritika. Ky edicion ndryshe nga vitet e mëparshme kishte një mënyrë të ndryshme votimi duke u cilësuar si formula më e mirë. Kejsi me "Më Merr në Ëndërr" përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision , edicioni i cili u zhvillua në Moskë. Vendin e dyte në këtë edicion e fitoi kënga me titull "Jehonë" e kënduar nga West Side Family. Festivali u drejtua nga këngëtarja e njohur Elsa Lila dhe Elton Deda dhe Gentian Zeneli.Organizatorët e festivalitDrejtore e festivalit: Zamira KoleciDrejtor artistik: Selim IshmakuRegjisor: Osman MulaSkenarist: Pandi LaçoDrejtor fotografie: Franco FerrariKoreograf: Julian BulkuSkenografia: Karlo Cane Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Shtune, 26 Dhjetor 2009 21:45