Festivali i Këngës për Fëmijë, ritme dhe gjallëri në Shkodër
Ritme dhe gjallëri ka sjellë në qytetin Shkodrës Festivali i 47-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë. Me dhjetëra fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vise të tjera ku banojnë shqiptarë, kanë shfaqur talentin e tyre në fushën e këngës, në edicionin e 47-të të Festivalit, i cili ka startuar në qytetin e Shkodrës. Me regji të Osman Mulës dhe prezantimi të Huejda El Sajed, dhe kosovarit Driton Siqeta, edicioni i 47-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, është zhvilluar nën kujdesin e veçantë të zonjës Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Si çdo vit, ky aktivitet, më i madhi në vend për ai përket muzikës për fëmijë, solli zëra të bukur dhe këngë të reja, të cilat entuziazmuan publikun që kishte mbushur sallën e teatrit Migjeni të Shkodrës. Mes artistëve të vegjël kanë spikatur Andi Turhanaj nga Fieri me këngën, "Mos na i merrni ëndrrat", Oresti Dibra nga Shkodra, me këngën "Abetare" si dhe Fjoralba Syla nga Gjakova me këngën, "Do të bëhem yll". Juria e festivalit, e cila në natën finale do të përcaktojë edhe këngën fituese, është e përbëre nga fëmijë të moshave të ndryshme, duke e bëre kështu festivalin edhe më të dashur për të vegjlit. Mbrëmë në natën e dytë të festivalit u kënduan edhe 12 këngë të tjera. Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, është organizuar tradicionalisht në qytetin e Shkodrës. Ky festival, ka sjellë gjithmonë prurjet më të bukura në muzikën shqiptare për fëmijë. Emra të njohur të kompozicionit, kanë sjellë ndër vite në këtë eveniment të muzikës për fëmije krijimet e tyre, të cilat vazhdojnë të këndohen edhe sot nga brezat e të vegjëlve. Shumë nga artistët më në zë të muzikës shqiptare, i kanë hedhur hapat e patra të karrierës, pikërisht në skenën e këtij festivali. Vjet në edicionin e 46 që u zhvillua po në këtë qytet kanë qenë rreth 200 fëmijë pjesëmarrës në këtë festival mbarëkombëtar, të ardhur nga qytete brenda kufijve shtetërorë po dhe nga trevat shqipfolëse. Kështu përveç këngëve e interpretuesve nga Shkodra e Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Vlora, Gjirokastra etj, erdhën fëmijë edhe nga Shkupi, Prishtina, Gjakova, Gjilani, Ulqini e diaspora. Por vjet ishte interesante dhe organizmi i këtij evenimenti. Duke u zhvilluar festivali në teatër, ka ndryshuar dhe koncepti i tij, pasi skena u zhvendos në publik dhe për herë të parë ishin edhe dy personazhe të reja, Enki dhe Ponki, figura kukullash të cilat kanë prezantuar këngët dhe historinë e festivalit në vite.