Festivali i filmit, Giffoni Albania ndalet në Vlorë
Pas suksesit të Sarandës, diskutimi dhe debati i sjellë nga edicioni i katërt i festivalit të vetëm për filmin për fëmijë, Giffoni Albania, ka krijuar të njëjtën atmosferë edhe në qytetin e Vlorës, që ka qenë stacioni i radhës. Në dy projektimet e para të filmave kanë marrë pjesë 600 nxënës dhe dy juritë përkatëse që vlerësuan filmat, ndërkohë që po 600 nxënës të tjerë pritet të jenë sot, në ditën e dytë të festivalit në Vlorë. Organizatorët tregojnë se nxënësit nga Vlora kanë qenë tepër aktivë dhe kanë ndjekur me vëmendje filmat të dy kategorive; “Free to fly” 12 deri më 14 vjeç dhe “Y Gen” 15 deri më 18 vjeç. Diskutimet e larmishme nuk kanë munguar dhe është folur për mbi mesazhet e filmave, gjetjet e tyre, fabulat, lojën e aktorëve, regjinë dhe muzikën. Nën sponosorizimin e kompanisë celulare AMC, udhëtimi i Giffoni Film Fest – Albania do të vazhdojë drejt qyteteve të tjera të cilat përkatësisht janë Pogradeci, Durrësi dhe Lezha.
Drejtori i festivalit për Shqipërinë, Namik Ajazi është shprehur:
“e konsideroj këtë iniciativë tonën, për të rrugëtuar nëpër qytetet bregdetare si të suksesshme, pasi të tilla kanë qenë edhe reagimet e para nëpër Sarandë e Vlorë”. Ai shton se “Pikërisht ky festival do t’i japë një fytyrë të re aktiviteteve të tjera që zhvillohen gjatë sezonit veror në këto qytete”. Festivali i filmit për fëmijë Giffoni Albania startin për këtë vit e pati nga Saranda dhe finishin pritet ta bëjë në Lezhë. Udhëtimi në bregdetin shqiptar është quajtur “Prolog Giffoni Albania”. Gjatë tij po shfaqen pesë filmat më të mirët të realizuar në dy vitet e fundit, që do të vlerësohen nga juria ndërkombëtare e 120 fëmijëve.
6 Qershor 2008