E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke detyron 30% të emigrantëve të kthehen në Shqipëri



Kriza e rëndë ekonomike që po kalon Greqia rrezikon të kthejë të paktën 35 mijë emigrantë shqiptarë në vendin e tyre të lindjes, por një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të detyruar të lënë vendin pasi janë . Statistikat janë dhënë nga anketimet e bëra gjatë muajve të fundit në vendin fqinj. Por, edhe vetë emigrantët janë lodhur nga ndërprerjet e kontratave të punës dhe pamundësinë për të gjetur burime financimi për jetesën e tyre. Rreth 30 përqind e shqiptarëve të pyetur nga mediat, thonë se ndodhen në kushtet e pamundësisë për të qëndruar në territorin helen dhe janë gati të kthehen në Shqipëri. Në një anketim që bëri para pak kohësh gazeta “Tribuna” jepen të dhëna për shkallën e prekjes së ekstrakomunitarëve nga kriza që ka përfshirë ekonominë e vendit fqinj.

Emigrantët: Do të kthehemi

Shumica e emigrantëve shqiptarë kanë punuar nëpër vendet më të vështira të punës, si në ndërtim, bujqësi e gjetkë. Ndërsa sot, sipas prononcimeve të tyre, rrezikohet që mbi 30% të kthehen në Shqipëri, si rezultat i papunësisë. “Çfarë të presim?”, - thotë një emigrant, duke shtuar se: “kur ne po prishim ato pak euro që kishim vënë mënjanë. Ne vetëm po tërheqim para nga bankat, për të paguar qira, drita dhe ujë. Tani na u rrit edhe TVSH-ja, nga 19% në 21%, benzina ka shkuar në stratosferë me mbi 1.50 euro për litër e kështu me radhë. Do durojmë sa do durojmë, dhe mesa duket po na pret Shqipëria”, thonë ata. Marie Selmanaj, që banon në Pire thotë se: “kur dëgjuam për krizën, thamë se po bënin shaka, por tani kemi filluar ta ndjejmë me të vërtetë se çfarë qenka kriza. Le që na lanë pa punë, por po harxhojmë edhe ato pak lek që kishim grumbulluar gjatë këtyre viteve. Po nuk u zgjidh, do ikim në Shqipëri, të paktën nuk paguajmë qira shtëpie.
“Të them të drejtën me këtë krizën të gjithë e kemi mendjen nga Shqipëria, se këtu është bërë shumë keq. Po edhe ne Shqipëri, lind pyetja çfarë do bëjmë? Akoma kemi frikë, nuk është krijuar ai besimi”, - shprehet Mariana Tusha që jeton në Rodos
Dardan Osmaj, shqiptari që punon në Athinë thotë: “Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me krizën ekonomike që po kalon Greqia”. “Ajo na ka dëmtuar rëndë dhe më e keqja është se nuk po shohim ndonjë shpresë”, - thekson Osmaj. “Na luteshin, tani i lusim ne pronarët që të na marrin në punë”, - bën të ditur emigranti shqiptar. Ai bën një konstatim pesimist duke thënë se “rreziku është se ka mundësi të rikthehemi në vendin tonë, ku edha atje mund të na quajnë si emigrantë të huaj”.

Emigrantët dhe kriza
Kriza greke pritet të ketë një faturë të rëndë për Shqipërinë. Sipas të dhënave të para, të paktën 35 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, pritet të rikthehen në vendlindje. Të dhënat janë publikuar nga agjencitë të njohura të anketimeve. Edhe në kushtet kur Greqia është kapluar nga kriza, policia ka nisur riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, në ndryshim nga politika e propaganduar nga qeveria Papandreu. Tashmë, të gjithë ekspertët huaj, përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare, por edhe specialistët vendas, kanë pohuar se situata në vendin fqinj do të ketë ndikime të konsiderueshme në ekonominë shqiptare; Konkretisht, pritet ulje e ndjeshme e remitancave nga Greqia. Krahas tyre, do të rrudhen projektet e qeverisë greke në vendin tonë, si dhe aktiviteti i bankave bija që ushtrojnë aktivitetin në sistemin bankar shqiptar. Pasoja të ndjeshme do të ketë edhe në uljen e importeve dhe eksporteve për shkak të reduktimit drastik të fuqisë blerëse në Greqi.

Tronditja ekonomiko-financire, ditët e provës për Greqinë

Shpejtohen procedurat për aktivizimin e mekanizmit të ndihmës për Greqinë, pas nënvlerësimit rreth 3 pikë të aftësisë së kredibilitetit të Greqisë, publikuar nga Agjencia e Vlerësimit të Kreditit “Standard & Poor’s”, por edhe të aftësisë së kreditit të bankave greke (Ethniki, Eurobank, Alpha Bank dhe Pireos), duke shkaktuar një tronditje në tregjet e brendshme. Ditën e mërkurë u shënua një ulje e paparë e treguesit të përgjithshëm të Bursës së Athinës, e cila shënoi një humbje prej 7 pikësh. Ndërsa aksionet e bankave më të mëdha janë ato që u prekën më shumë. Gjithashtu, në shifra të papara ka shkuar edhe kostoja për bonot 10-vjeçare të huasë. Pra, nëse Greqia do të kërkonte kredi në tregjet botërore në këtë momente, do t’i jepej vetëm me norma interesi mbi 12%. Të shtunën dhe të dielën (1 dhe 2 maj) pritet të komunikohet programi 3-vjeçar, teksti i të cilit do të nënshkruhet në Greqi midis qeverisë greke dhe ekspertëve të Komisionit Europian (KE), Bankës Qendrore Europiane (BQE) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ministrat e Financave të zonës së euro-s do të diskutojnë rezultatet e këtyre bisedimeve në datën 4 maj në një konferencë telefonike. Gjithashtu, udhëheqësit e vendeve të Eurozonës do të zhvillojnë një samit të jashtëzakonshëm të lartë në Bruksel, më datën 10 maj, për të miratuar dhënien e kredive në Greqi dhe për të ndihmuar në përfundimin e krizës në të cilën ndodhet vendi.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›