Emrat e banorëve të komunave të Tiranës që marrin lejen e legalizimit
Agjencia e Legalizimeve ka publikuar dje listën emërore të banorëve të komunave të Tiranës për të cilat ka përfunduar dokumentacioni tekniko-ligjor i kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore. Banorët e listuar që dëshirojnë të shlyejnë detyrimet me bono privatizimi ose letra me vlerë, në përputhje me grafikun e miratuar, të paraqiten pranë zyrave të drejtorisë rajonale në Tiranë për të paraqitur kërkesën për mënyrën e pagesës sipas përcaktimeve në ligj. Ky formular gjendet edhe në sajtin zyrtar të ALUIZNI-t në internet www.aluizni.gov.al.
Në bazë të ligjit për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit ose vijës së verdhë, për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, ose vijës së verdhë, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. ALUIZNI njofton se në vazhdimësi do të japin informacion për paraqitjen e qytetarëve pranë drejtorive rajonale të Aluizni-t në qarqe për plotësimin e kërkesës mbi mënyrën e pagesës së parcelës ndërtimore me bono privatizimi.
29 Prill 2010