E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania ndez dritën jeshile për Greqinë, 8.5 mld euro ndihmë



Gjermania teknikisht ka rënë dakord ta ndihmojë Greqinë me 8.5 miliardë euro, nga 45 miliardë gjithsej që i nevojiten për të parandaluar falimentimin. Për dhënien e ndihmës nuk kanë qenë dakord të gjithë politikanët gjermanë, duke ashpërsuar në të njëjtën kohë tonet. Mesazhi i tyre ishte se Gjermania nuk ka para tepër për të falur. Qeveria federale gjermane dhe autoritetet më të larta financiare ndërkombëtare kanë zhvilluar dje konsultimet për krizën në Greqi. Për këtë temë në Berlin u takuan kancelarja Angela Merkel, ministri i Financave Volfgang Shauble, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Dominique Strauss-Kahn dhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Zhan-Klod Triket.
Donatorja më e madhe
Por, pse është pikërisht Gjermania ajo që duhet të japë pjesën më të madhe të ndihmës për krizën në Greqi? Përgjigja më e thjeshtë do të ishte se ajo është fuqia më e madhe ekonomike në Bashkimin Europian dhe ka numrin më të madh të banorëve. Meqenëse vendet anëtare të zonës së euros kanë një monedhë të përbashkët, secili prej këtyre vendeve duhet të ngarkohen sipas mundësive. Një tjetër arsye më e vlefshme është se Gjermania ka kapitalin më të madh në Bankën Qendrore Europiane. Vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë futur në përdorim euron si monedhë zyrtare, si për shembull, Britania e Madhe apo Suedia, marrin pjesë të paktën në shpenzimet e Bankës Qendrore Europiane dhe paguajnë rreth shtatë për qind të kapitalit të saj. Kapitali bazë i Bankës Qendrore Europiane në këtë moment është rreth 5,8 miliardë euro. Më shumë se dy të tretat kanë siguruar vendet anëtare të zonës së euros, ndërsa pjesën tjetër vendet jashtë kësaj zone. Sipas këtij çelësi, Gjermania ka në këtë Bankë 19 për qind të kapitalit. Por paketa e planifikuar për shpëtimin e Greqisë i prek vetëm vendet e zonës së euros, që do të thotë se përqindja që duhet të paguhet prej Gjermanisë shkon në 27 për qind. Me fjalë të tjera, nga 30 miliardë euro që duhet të jepen nga shtetet anëtare të kësaj zone, Gjermania duhet të paguajë më shumë se tetë miliardë.
Mosmarrëveshjet për bankat
Në koalicionin qeveritar të Gjermanisë ka mosmarrëveshje lidhur me një përfshirje të mundshme të bankave dhe të kreditorëve të tjerë në ndihmën financiare për Greqinë. Ministri i Financave, Volfgang Shauble e hodhi poshtë këtë mundësi me shpjegimin se futjet e reja në borxhe vetëm do ta destabilizonin gjendjen edhe më tej. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar për Financat, Volker Uising (FDP) deklaroi se kush ka arkëtuar para nga interesat e larta për borxhet e Greqisë, duhet edhe të marrë pjesë në shpenzimet për shpëtimin e saj. Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe zëdhënësi i grupit parlamentar të Unionit për politikën financiare, Leo Dautzenberg. Për një angazhim të bankave u shprehën si Kryetari i socialdemokratëve (SPD) Sigmar Gabriel, ashtu dhe Kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve, Renate Kunast. Ambasadori gjerman në Greqi, Volfgang Shultheis u shpreh: “Duhet t’i dërgojmë një sinjal të qartë që ne nuk do ta lëmë në baltë Greqinë dhe ky është emëruesi i përbashkët i të gjitha vendimeve. Gjermania do ta ndihmojë Greqinë dhe nuk do ta lërë të rrëzohet”.

Papandreu, thirrje BE-së: “Jepini fund krizës”

Kryeministri grek Jorgos Papandreu ripohoi të mërkurën se qeveria e tij do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur vendin nga rreziqet që i kanosen, duke e drejtuar kabinetin në këtë moment të vështirë dhe vendimtar të krizës dhe huamarrjes. Me këtë rast ai theksoi se Bashkimi Europian duhet të “shuajë zjarrin që shpërtheu” dhe që rrezikon të përhapet në të gjithë Europën. Ai është shprehur se Greqia në këtë rast është “barrë” për të gjitha vendet që duhet të japin ndihmën e tyre. Papandreu u ka kërkuar vendeve anëtare të zonës euro që të bëjnë një përpjekje të përbashkët në mënyrë që kriza të mos prekë ekonomitë e tjera.
Deklaratën e tij, Papandreu e bëri gjatë mbledhjes së qeverisë, ku theksoi se nga ana e saj Greqia ka marrë përsipër përgjegjësitë si për vete, ashtu edhe për Europën.

Van Rompuy: “Më 10 maj, KE-ja vendos për ndihmën ndaj Greqisë”

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy bëri të ditur se më 10 maj në samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të eurozonës do të ofrojë një zgjidhje për ndihmat e planifikuara financiare për Greqinë. “Si president i Këshillit të BE-së unë konfirmoj që kam thirrur në një takim kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të grupit të zonës së euros më 10 maj. Bisedimet po vazhdojnë”. Në koalicionin qeverisës të Gjermanisë zi-verdhë ka pasur mosmarrëveshje lidhur me një përfshirje të mundshme të bankave dhe të kreditorëve të tjerë në ndihmën financiare për Greqinë. Ministri i Financave Volfgang Shauble e hodhi poshtë këtë mundësi me shpjegimin se futjet e reja në borxhe vetëm do ta destabilizonin gjendjen edhe më tej.

Rehn, optimist: “Kriza greke nuk përhapet”

“Për momentin nuk shohim rreziqe përhapjeje të krizës greke në zonën Euro’. Kështu theksoi zëdhënësi i komisionerit të Bashkimit Europian për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Oli Rehn. Zëdhënësi i konisionerit theksoi se nuk mund të krahasohet situata në Greqi me atë të vendeve të tjera të zonës Euro, si dhe ka diferencuar situatën greke me atë portugeze. Deklarata e zëdhënësit të Rehn vjen pas lajmit se situata e rëndë në Greqi ka shkaktuar rënie të mëdha në bursën ndërkomëbëtare, duke u ndier së tepërmi në Portugali.

Kriza greke, tregjet ndërkombëtare pësojnë rënie

Ka vazhduar edhe ditën e djeshme, rënia e vlerës së aksioneve në tregjet financiare ndërkombëtare për shkak të krizës së borxhit grek. Tregu i aksioneve në Japoni pasoi rëniet në bursën e Nju Jorkut me pothuajse tre për qind. Australia dhe Korea e Jugut hapën tregjet me dy për qind rënie. Çmimet e aksioneve filluan të bien pasi një agjenci e madhe ndërkombëtare që vlerëson besueshmërinë e klientelës (Standard & Poor’s) e renditi borxhin grek në nivelin më të ulët që njihet si “junk” që ka kuptimin mbetje ose pa vlerë. Në Greqi protestuesit i bënë thirrje qeverisë që të mos paguajë borxhet e saj, në mënyrë që bankat e huaja të paguajnë çmimin për krizën në vend të taksapaguesve grekë. Për shkak të krizës së rëndë në Greqi e po ashtu edhe në Portugali tregu i bursës ndërkombëtare ka pësuar lëkundje të mëdha. Indekset e aksioneve dje kanë qenë në minus, ndërsa dy ditë më parë në Frankfurt vlera e aksioneve gjermane ka rënë me 2,7 për qind. Në Londër dhe në Paris kanë rënë në 2,6 për qind dhe 3,8 për qind, ndërsa në Portugali pesë për qind.

Përgatiti: Blerina Olldashi

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›