E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush e ka radhën pas Greqisë



The New York Times

ANALIZË - Ndërsa Greqia rrezikonte këtë javë të mos paguante borxhet, investitorët, nga ana tjetër, të frikësuar gjithashtu, nxitonin t’u largoheshin shqetësimeve financiare, duke shitur aksionet në Portugali, Spanjë dhe Irlandë. Por, ndërsa tregjet, gjithnjë e më shumë, e shikonin këtë situatë si një krizë të Eurozonës, shumë udhëheqës evropianë e mohojnë. Nëse Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk e mbështesin Greqinë, ajo mund të mos jetë në gjendje ta paguajë borxhin.
Afërsisht, 40 miliardë dollarë ndihmë e premtuar nga Brukseli, me një shtesë prej 15 deri në 20 miliardë dollarësh nga FMN-ja, ka të ngjarë të mos jenë të mjaftueshme për Athinën. Borxhi i Greqisë që duhet paguar në 12 muajt e ardhshëm, llogaritet në 50 miliardë dollarë. Ndërkohë që Gjermania po reziston për të dhënë para ndihmë për të.
Pas thirrjes së kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, për të aktivizuar planin e ndihmës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Greqia së pari duhet të negociojë për një program bindës kursimesh. Përpjekjet e Greqisë për t’i zvogëluar shpenzimet publike nuk i kanë bindur investitorët se është e aftë që këtë deficit të mund ta vë nën kontroll.
Por, mes një recesioni të ashpër, i cili ka gjasa që të keqësohet nga shkurtimet e buxhetit, edhe sikur rripi të shtrëngohet në maksimum, duket i pamundur eliminimi i një deficiti që shkon në 13 për qind. Për të ndaluar përkeqësimin e situatës, BE-ja duhet ta aktivizojë planin e ndihmës. Më pas, Evropa dhe FMN-ja duhet t’i nisin negocimet me Greqinë për një paketë të madhe ndihme. Kjo do të ndihmojë në rikthimin e besimit të investitorëve.
Investitorët e bënë të qartë këtë javë se trazirat nuk përfundojnë me Greqinë. Portugalia, Spanja dhe Irlanda kanë parë rritjen e deficitit buxhetor në shtëpitë e tyre.
Në këto kushte, BE-ja dhe FMN-ja duhet që së bashku të përgatisin një paketë paraprake ndihme, për t’i bindur investitorët në stabilitetin e financave të tyre dhe të lënë në qarkullim bonot e tyre në një nivel më të lartë. Shpejtësia është esenciale.
Sekretari i Zyrës së Thesarit, Timoti Geithner, dhe ministrat evropianë të financave duhet të punojnë rreth kësaj, gjatë takimit të fundjavës të FMN-së në Uashington. Më së shumti ky është një problem evropian. Por, Uashingtoni duhet të sigurohet se fondi do të ketë burime të mjaftueshme. Lajmi i mirë është që bankat amerikane nuk kanë shumë nga borxhi grek. Por, ekonomia amerikane nuk do të jetë e imunizuar nëse kriza greke shkon më tej.

MEDIA
Financial Times: Rritet ndihma për Greqinë

FINANCIAL TIMES shkroi dje se Fondi Monetar Ndërkombëtar po përpiqet që të rrisë pjesën e vetë në paketën shpëtuese për vendin, teksa ka shqetësime se paketa e planifikuar prej 45 miliard dollarësh nuk do ta arrijë ta çojë jashtë kontrollit krizën e borxhit grek. Bursat në të dyja anët e Antlantikut regjistruan humbje dhe indekset kryesore evropiane shënuar ulje. Në Athinë vlerat e aksioneve ranë me 6 për qind, ndërsa bankat shënuan rënie prej 9 për qind. Një analist i afërt me bisedimet që po zhvillon FMN-ja me Greqinë, i thotë Financial Times se Fondi do ta rrisë në 10 miliard dollarë ndihmën për Greqinë. Ndërkaq gazeta thekson deklaratën e presidentit të Bankës Evropiane, i cili ka thënë se as që nuk shtrohet për diskutim çështja që Greqia të mos arrijë të paguajë borxhet. Ndërsa Komisioni Evropian ka theksuar se në diskutimet mes BE-së, FMN-së dhe Greqisë nuk po diskutohej çështja e ristrukturimit të borxhit grek.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›