G20 vendos shkurtime deficiti
Liderët e 20 vendeve me ekonomitë më të zhvilluara në botë ranë dakord që të pakësojnë deficitet brenda një periudhe trevjeçare. Sipas Kryeministrit kanadez, Stephen Harper, edhe pse do të bëhen shkurtime në shpenzime, përsëri do të nevojiten masa të tjera për të stimuluar rritjen. Për taksat e bankave dhe huatë, liderët vendosën që secili vend duhet të vendosë vetë se cila është mënyra më e përshtatshme. Ndërsa Presidenti amerikan, Barak Obama, sërish kërkoi që vendet me ekonomi të fortë duhet të vazhdojnë të investojnë me masa stimuluese fiskale. Në samit u diskutua mbi rritjen e borxheve, rimëkëmbjen e ngadaltë, por edhe objektivat në lidhje me financat e Qeverive. Mikpritësi i takimit, Harper tha se “Objektivat tona për zvogëlimin e borxheve janë zvogëlimi prej 50 për qind i deficitit buxhetor deri në vitin 2013, si dhe stabilizimi i borxhit kundrejt GDP-së deri në vitin 2016”. Kryeministri britanik, David Kameron, i cili vetëm pak ditë më parë miratoi masa të forta kursimi për vendin e tij, tha se duke ndrequr problemin e borxhit, ndihmohet rritja ekonomike. Presidenti Obama kërkoi kujdes të veçantë në shkurtimin e shpenzimeve publike. Në fund të samitit liderët ranë dakord se pakësimi i borxheve të Qeverive është në përputhje me planet që ata kishin bërë më parë, edhe në përpjekje për të forcuar tregjet financiare.