E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, zhgënjen gushti, 40% turistë më pak

 

VLORE - Në këtë sezon turistik ka 40% më pak pushues dhe turistë se sezonin e kaluar në Vlorë dhe përgjatë bregdetit. Ky fakt konfirmohet dhe në këtë fillim muaji, kur çdo vit, gushti shënonte dhe pikun e fluksit të pushuesve. Kriza ekonomike, mungesa e energjisë elektrike për disa ditë, mungesa e ujit të pijshëm për orë të tëra, infrastruktura shumë e dobët rrugore brenda qytetit, si dhe për gjatë zonës turistike, cilësohen si shkaqet kryesore. Fenomeni i ndërprerjes së energjisë shkaktoi probleme dhe dje në zonën e Ujit të Ftohtë, çka solli dhe anomali në furnizimin me ujë për disa orë. Të parët që flasin me pesimizëm për këto të dhëna janë pronarët e hoteleve dhe lokaleve. Sipas tyre, këtë sezon ka më pak pushues e turistë. "Ndërprerja e energjisë elektrike për disa ditë gjatë korrikut i frikësoi pushuesit. Çmimet në krahasim me një vit më parë janë disi më të ulëta, pasi u detyruam nga kërkesat e pakta", pohojnë hotelierët. Sipas tyre, në muajin gusht, sezonin e kaluar të gjitha dhomat e hoteleve ishin të zëna, ndërsa këtë verë, për çdo natë ka dhoma bosh, nga 25 deri në 30% të numrit në total. Të prekur janë dhe bizneset familjarë që ofrojnë shtëpi ose dhoma me qira. Ata tregojnë se për verën e shkuar kishte prenotime 1 vit më parë, ndërsa këtë verë ka shumë më pak kërkesa. Edhe pse sektori i kulturës pranë Bashkisë së Vlorës ka organizuar mjaft aktivitete kulturore, artistike dhe sportive në disa zona të plazheve, si dhe në qytet, për të thithur turistë dhe pushues sa më shumë, ato kanë pasur vetëm pak sukses.                                                            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›