E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësorja Tirana-Partizani, testi i fundit midis tyre u kthye në sherr



Tirana, kampionia në fuqi e Superligës dhe, Partizani, tashmë i rënë në Kategorinë e Parë, do të përballen midis tyre në një miqësore luksi, të programuar për ditën e mërkurë (5 gusht) në “Selman Stërmasi” (18:00), vetëm pak orë pasi dy nga skuadrat më të njohura të Shqipërisë, do të mësojnë kalendarin e tyre për sezonin e ri 2009-2010, bardheblutë atë të Kategorisë Superiore dhe të kuqtë, atë të së Parës.

TIRANA
Tirana, e eliminuar nga Liga e Kampioneve, qysh në përballjen e parë me norvegjezët e Stabaekut (barazoi 1-1 në “Qemal Stafa”, humbi 4-0 në Norvegji), nuk luan një miqësore me Partizanin, qysh nga viti 2003 (15 shkurt 2003), kur fituan 3-0 (2 gola Muka, 1 gol Dede). 24-herë kampionët e drejtuar nga kroati Ilija Lonçareviç, tekniku i pestë i huaj në 15 vitet e fundit, duke filluar nga hungarezi Miklosh Temeshvari (2000-2001), boshnjaku Enver Haxhiabdiç (2002-2003), italianin Leonardo Menikini (2005) dhe kroato-boshnjakun Bllazh Slishkoviç (2008-2009) janë në dhjetët e fundit të përgatitjeve përpara se të përballen me Flamurtarin në finalen e Superkupës (16 gusht), ky synojnë të fitojnë trofeun e parë përpara nisjes së Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit, më 23 gusht. Nga skuadra që fitoi titullin e sezonit 2009-2010 është larguar Ansi Agolli (drejt Krivbasit në Ukrainë) e Daniel Xhafaj (firmosi për Besën), ndërkohë që kroati Toniz Pezo ende nuk është pjesë e bardhebluve. Një tjetër mungesë e madhe për 64-vjeçarin Lonçareviç është dhe ajo e Migen Memellit (në rikuperim e sipër), lojtarit, që me 22 golat e tij luajti një rol kyç në fitimin e titullit të sezonit të kaluar. Gjithsesi, te bardheblutë ka mbërritur sulmuesi vlonjat Arbër Abiliaj (ish-pjesë e Besës) dhe mesfushori përmetar Ilirjan Çaushaj (luajti me Flamurtarin sezonin e kaluar)

PARTIZANI

Partizani, tashmë për herë të dytë në Kategorinë e Parë gjatë historisë së tij 63-vjeçare, është duke u përgatitur seriozisht për të përballuar një kampionat të vështirë (të paktën nga pikëpamja fizike) dhe me synimin e qartë, rikthimin “ekspres” midis më të mirave të futbollit shqiptar, ku të kuqtë me 15 tituj kampionë, janë dhe skuadra e tretë shqiptare me më shumë trofe kampionati, pas Tiranës me 24 dhe Dinamos me 17. Skuadra e drejtuar nga Eduart Zhupa ka në përbërje të saj një plejadë të shquar veteranësh me eksperiencë si Skerdi Bejzade, Ardit Beqiri, Sokol Ishka, Klevis Dalipi, Klodian Asllani dhe Arjan Sheta, që gërshetojnë përvojën e tyre me një brez të rinjsh të talentuar që vazhdojnë të militojnë te Partizani, e që vetëm në ndeshjen e plejofit të humbur ndaj Kastriotit (0-1), nuk mundën t’i siguronin të ish-skuadrës së Boriçit e Panos, qëndrimin në Kategorinë Superiore. Gjatë sezonit të kaluar të Kategorisë Superiore, Tirana e Partizani u përballën tri herë midis tyre, ku vetëm një takim u fitua nga Tirana (2-1, ai fazës së parë), ndërsa dy të tjerat u mbyllën me rezultat të njëjtë: 2-2.

MIQËSORET
TIRANA
Tirana ka zhvilluar deri tani vetëm dy miqësore, atë me Dajtin e Kategorisë së Parë, ku fitoi 4-1, apo me Olimpikun (5-1) të Kategorisë së Dytë, teksa ka zhvilluar testime brenda familjes bardheblu me ekipet e moshave.

PARTIZANI
Partizani, që filloi fazën përgatitore më 10 korrik, ka zhvilluar deri tani katër miqësore, ku bilanci i është 1 fitore (me Gramshin, 2-0), dy barazime (me Laçin, 2-2 dhe me Kastriotin, 1-1) e një humbje (me Dajtin, 2-1).

Gjoreski, pranë firmës me Shkumbinin

Mesfushori maqedonas Sasho Gjoreski, i cili në pjesën e dytë të sezonit 2007-2008 ishte në forcë me Tiranën, mund të bashkohet me Shkumbinin për kampionatin e ardhshëm. Mesfushori është pëlqyer nga trajneri i peqinasve, Gugash Magani: “Gjoreski është në planet tona. Përveç atij jemi në pritje edhe të dy lojtarëve të tjerë, për të cilën do të japim verdiktin pasi t’i shohim”. Gjatë ditëve në përgatitoren e Strugës, në provë ka qenë edhe sulmuesi bullgar Pepi Bozhijanov. Shkumbini ka firmosur më parë me Erjon Xhafën, Endri Bakiun, Viktor Gjylën, Hetlem Çapjen, Isidor Sekserin dhe Ardi Sekserin. Peqinasit kanë zhvilluar dy miqësore gjatë fazën së tyre përgatitore në Strugë të Maqedonisë, me Ohrin (humbi 1-0) dhe Flamurtarin e Prishtinës (fitoi 3-1).

Arapi, blerja e dhjetë e Besës

Pas dy sezonesh të shpenzuara në Danimarkë me Sikleborgun, mbrojtësi Renato Arapi (22 vjeç) u bashkua me Besën, me të cilën ka luajtur në sezonet 2004-2005, 2006-2007 dhe pjesën e parë të 2007-2008.

TRI SKUADRA
Arapi, i cili ka veshur edhe fanellat e Dinamos e Erzenit, ka zhvilluar 64 ndeshje në Kategorinë Superiore, duke shënuar 2 gola. Në vijën mbrojtëse të Besës aktualisht janë Liridon Leci, Alban Dragusha, Erand Hoxha, Erbim Fagu e Bazian Tragaj.

DHJETË FUTBOLLISTË
Dhjetë futbollistë të rinj kanë nënshkruar për skuadrën e presidentit Nexhat Bizhdili: Babaj, Babamusta, Shehi, Fagu, Dragusha, Dhembi, Poçi, Kaçiu, Hasalla e tani Arapi. Besa për sezonin e ri 2009-2010 do të drejtohet nga trajneri i njohur Shpëtim Duro.
NJË MIQESORE
Besa vazhdon përgatitjet në Mavrovë të Maqedonisë, ku ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore të humbur 5-2 me Dinamon.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›