Nga Amerika në Shqipëri, mbërrijnë "Marko Polot"
DURRES/ OERD ULQINI
Kishin vizituar Amerikën e Veriut, Indinë, Kinën, Iranin e shumë skaje të largëta të botës, por nuk kishin qenë asnjëherë në vendin e tyre fqinj, Shqipëri. Bëhet fjalë për një grup kamperistësh nga Roma dhe Rajoni i Lacios në Italinë qendrore, të cilët ndërmorën për herë të parë aventurën e zbulimit të Shqipërisë. Drejtuesi i kësaj ekspedite, Giuseppe Truini, i ka të qarta idetë e tij në lidhje me aventurën. "Italianët janë pasardhësit e Marko Polos, udhëtarit legjendar të mesjetës dhe ata ndjehen krenar për të, duke vazhduar me guxim në gjurmët e tij", deklaron për "Panorama", Giuseppe Truini, president i shoqatës "Assocampi". "Po, është e vërtetë, të gjithë jemi si Marko, madje kemi shkuar me kamperat tonë në skajet më të largëta të Azisë, ashtu sikurse patrioti ynë shekuj më parë. Jemi pak vonë, por e rëndësishme është që edhe këtu në Shqipëri të vinim një ditë. Jemi të lumtur pasi na presin në turin tonë 2-javor shumë surpriza. Në Berat kemi një takim me kryebashkiakun e qytetit dhe për këtë fakt jemi të lumtur", vijoi Truini. Në Durrës ka zbarkuar ekspedita "Assocampi", një shoqëri turistike me qendër në Romë, që përfshin të gjithë të apasionuarit pas turizmit me kamper,(rulota). Turizmi me kampera është thuajse i panjohur për shqiptarët, ndërsa për vendet e zhvilluara është një mënyrë ekonomike për të shëtitur botën, pa paguar asnjë natë në hotel dhe pa ngrënë asnjëherë në restorant, pasi brenda këtyre makinave ndodhet gjithçka që ka një shtëpi banimi, kuzhinë, frigorifer, televizor, shtretër komodë, kondicioner, etj. Është si një lloji "hoteli lëvizës", ku panoramën me pamje nga deti, apo mali, e bën një manovër e makinës dhe jo çmimi i kripur që të ofron sportelisti. Autokolona e tyre la portin e Durrësit në orën 11:00, për t'i dhënë jetë aventurës shqiptare. Bëhet fjalë për 19 kampera, të cilat transportojnë në to dhjetëra turistë. Turi i tyre është i gjatë. Ai përfshin pas Durrësit, qytetet e rëndësishme historike si Berati, Pogradeci, Lezha, Shëngjini, Shkodra, etj. Pasi të kenë mbyllur etapën shqiptare kamperat e "Assocampi" do të marrin rrugën drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë.