Ndërpritet përkohësisht greva e gardianëve
Sindikata e Punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, kanë rënë dakord për ndërprerjen “e përkohshme” të grevës së gardianëve.
Pas një takimi gati katërorësh, ministrja Kelmendi i ka vlerësuar si të arsyeshme kërkesat e gardianëve, ndërsa ka premtuar se kërkesat të cilat janë në kompetencë të kësaj ministrie do të plotësohen.
Ajo ka premtuar pajisjen me uniforma të stafit dhe sigurim të kushteve më të mira të punës. Ndërsa, për kërkesën kryesore që është rritja e pagave, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër që urgjentisht këtë çështje ta diskutojë me instancat më të larta qeveritare, raporton KosovaPress.
Kryetari i Sindikatës, Zenun Sadikaj, ka thënë se është i kënaqur me rezultatin e takimit dhe pret që këto premtime të realizohen.
Gardianët dhe punonjësit civilë të burgjeve të Kosovës, të hënën kanë protestuar për dy orë, me kërkesë aprovimin e Ligjit për SHKK-në në Parlamentin e Kosovës, të paguhet ndërrimi i natës, të rritet koeficienti i pagës së paku për dy shkallë për të gjithë punëtorët pa përjashtim, të ketë siguri më të lartë brenda dhe jashtë burgut dhe uniformimi i tyre të bëhet më kohë.