E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 shkurti ishte demonstratë kundër përsëritjes së historisë

Në demonstratën e 10 shkurtit rruga që bënë Beni dhe Moni nëpër sheshin e Prishtinës ishte rruga e fundit që përshkuan fizikisht, por e pa fund përjetësitë, u tha në akademinë përkujtimore kushtuar Arben Xheladinit dhe Mon Balajt.

Me rastin e trevjetorit të vrasjes së dy aktivistëve të “Vetëvendosje”-s, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të mërkurën u mbajt një akademi përkujtimore, organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ku morën pjesë aktivistë të kësaj lëvizjeje, përfaqësues të familjeve Xheladini, Balaj dhe ata të familjes Jashari.

Akademia ka nisur me intonimin e himnit kombëtar dhe një minutë heshtjeje për të nderuar të rënët në demonstratën e 10 shkurtit.

Lideri i “Vetëvendosje”-s, Albin Kurti, ka thënë me këtë rast se dëshmorët si Arbeni e Moni janë dëshmi e vullnetit për liri e kundër përsëritjes së historisë.

“Demonstrata e10 shkurtit e vitit 2007 ishte demonstratë kundër përsëritjes së historisë, se histori e dritareve të reja, si histori e kufijve që na ofrohen. Dëshmorët janë dëshmi e vullnetit për liri e kundër përsëritjes së historisë. Moni e Arbeni janë dëshmorët më të rinj, kundër përsëritjes më të re të historisë. Ata njomen nuk jetuan gjatë, porse ata jetuan shumë, jeta e njeriut nuk matet me jetesën e tij, por me atë që vjen pasi ajo merr fund”, theksoi Kurti.

Në emër të familjeve Xheladini dhe Balaj, foli Fahri Balaj, vëllai i Mon Balajt, i cili tha se Arbeni dhe Moni kishin vendosur të vazhdonin rrugën që kishin nisur shumë dëshmorë dhe të vetëdijshëm për këtë iu bashkuan radhëve të mijëra demonstruesve që thërrisnin politik bërësit të mos mashtrohen.

“Jo rrallë herë gjatë historisë së kombit tonë është krijuar bindja se kemi bërë mjaft për lirinë e vendit, po aq shpesh kemi pasur bijë e bija që u flijuan për vendin të bindur se rruga për bërjen e shtetit dhe ruajtjen e identitetit shqiptarë është vazhdimësi e tij dhe obligim për çdo brez. Të tillë ishin Beni dhe Moni, ata kishin ndarë mendjen se duhej vazhduar rrugën që kishin nisur shumë dëshmorë që ranë para tyre, të vetëdijshëm pa u hamendur iu bashkuan radhëve të mijëra demonstruesve që thërrisnin politik bërësit të mos mashtrohen. Në demonstratën e 10 shkurtit rruga që bënë Beni dhe Moni nëpër sheshin e Prishtinës ishte rruga e fundit që përshkuan fizikisht, por e pafund përjetësisht”, ka thënë Fahri Balaj.

Ndërsa, Alesandra Chaner, aktiviste e Lëvizjes “Vetëvendosje”, tha se për ta nuk ishte e pranueshme të rrinin në një anë dhe të shpërfillin atë që po ndodhte rreth tyre. Sipas saj Arbeni dhe Moni nuk ishin të kënaqur vetëm duke qenë të vetëdijshëm për këtë dhe duke mos bërë asgjë.

“Monin dhe Arbenin nuk i kam njohur ndonjë herë, por ata janë bërë aq shumë pjesë e jetës sonë dhe jetës sime sa që ndihem sikur i kam njohur gjithë jetën time. Tani për ne emrat e tyre janë aq shumë të lidhur me njëri- tjetrin sa që duket sikur janë emra vëllezërish, por atë ditë ata u qëlluan dhe u vranë në vende të veçanta dhe duke mos e njohur kurrë njëri tjetrin. Ata ishin njerëz të zakonshëm, duke u përpjekur të bëjnë jetë të zakonshme, por për ta ky normalitet përfshinte angazhimin e tyre aktiv për të ndryshuar botën në të cilën jetonin, për ta nuk ishte e pranueshme të rrinin në një anë dhe të shpërfillin atë që po ndodhte rreth tyre, e as nuk ishin të kënaqur vetëm duke qenë të vetëdijshëm për këtë dhe duke mos bërë asgjë”, ka thënë Chaner.

Në demonstratën e organizuar nga “Vetëvendosje” më 10 shkurt të vitit 2007, si rezultat i ndërhyrjes së policisë së UNMIK-ut, janë vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, ndërsa mbi 80 demonstrues të tjerë janë plagosur. Kontingjenti i policisë rumune të UNMIK-ut është larguar nga Kosova dhe nuk është nxjerrë para drejtësisë as sot e kësaj dite. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›