E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohet 15-vjetori i krijimit të Fakultetit Ekonomik

Autori i Lajmit: red.
Universiteti "Luigj Gurakuqi" i qytetit të Shkodrës festoi dje 15-vjetorin e krijimit të Fakultetit Ekonomik, në të cilin gjatë vitit akademik 2008-2009 studiojnë 1838 studentë. Rektori i universitetit "Luigj Gurakuqi", prof.dr.Artan Haxhi, tha se "ky fakultet u hap për herë të parë në vitin 1993 dhe deri në vitin 2000 ka pasur vetëm një degë, atë të Administrim-Biznesit". Sipas tij, ky department fillimisht ka qenë si njësi mësimore në përbërjen e Fakultetit të Shkencave Natyrore të këtij Universiteti, ndërsa në maj të vitit 1996 Fakulteti i Ekonomisë fitoi statusin e fakultetit të pavarur brenda Universitetit të Shkodrës. "Në vitin 2000, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës miratoi hapjen e degës Financë-Kontabilitet dhe nё 2001 atë të Marketing-Turizmit", - nënvizoi Haxhi. Ndërsa në një prej sesioneve shkencore të mbajtura në dy salla të ndryshme, dekania e këtij fakulteti, prof.as.dr Arjeta Troshani, theksoi se "pjesë e këtij fakulteti janë 1078 studentë të diplomuar në vite të ndryshme". Ajo nënvizoi se Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës, edhe pse me një histori vetëm 15-vjeçare ka pasur një bashkëpumim të ngushtë me homologët e tyre jashtë vendit duke spikatur partneritetet me universitetet Perëndimore. Sipas saj, një ndër këto universitete është ai i Ilinoisit të Jugut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili prej 10 vitesh ka ndikuar në konsolidimin e këtij Fakulteti dhe në ngritjen e kurrikulave me orientim të shkollës amerikane të biznesit. "Ne kemi bashkëpunim me Universitetin e Ekonomisë dhe Administrim Biznesit të Vjenës, dhe Fakultetet Ekonomike të Corvinus, Budapest, të Pragës, Bratislavës, Mariborit, Sarajevës, Mostarit, Podgoricës, Kotorit, etj", - tha Troshani, duke shtuar se edhe me Universitetin e Bolonjës ka pasur bashkëpunime, të cilat kanë ofruar disa vite kursin pasuniversitar të krahasueshëm me nivelin Master për administratën publike në kuadër të projekteve TEMPUS dhe Interreg gjatë viteve 2003-2008. Në këtë sesion krahas temave të profesorëve të Universitetit të Shkodrës, për të pranishmit kanë referuar edhe profesorë të universiteteve të tjerë në vendin tonë, por sidomos të universiteteve të huaja, si universitetet amerikane, italiane, nga Mali i Zi, universiteti i Pragës, i Kosovës, etj. Aktualisht, Fakulteti i Ekonomisë renditet ndër gjashtë fakultetet përbërëse të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" duke pasur në dispozicion dy departamente, atë të Administrim Biznesit, dhe të Turizmit. Gjatë këtij aktiviteteti u çel edhe ekspozita fotografike "15 vjet Fakultet Ekonomik", ku u ekspozuan momentet më të veçanta të jetës dhe aktivitetit të këtij fakulteti.

Ky lajm është publikuar: 01/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›