E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria ka braktisur zonat veriore që e kanë votuar”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vazhduar bashkëbisedimet me bujq e fermerë në Veri të vendit, në fshatin Reç i Ri të komunës Velipojë dhe në fshatin Kosmaç, komuna Bushat. Gjatë dialogut të zhvilluar, mungesa e subvencionimeve nga shteti në bujqësi ka qenë një nga çështjet ku është vënë theksi më fort nga banorët atje. Në bashkëbisedim me Kryetarin socialist, fermerët kanë pohuar zhgënjimin e tyre dhe pamundësinë e nxjerrjes së fitimeve nga puna në bujqësi. Kryetari i socialistëve, Rama, u shpreh se kjo mungesë respekti për fjalën e dhënë nga qeverisja aktuale është e patolerueshme sidomos në veri të vendit ku varfëria dhe papunësia janë plagë më të thella dhe më të vështira. “Historia na ka treguar se sa pak të mira dhe sa shumë të këqija mund t i vijnë një populli të ndarë për shkak të ideologjisë. Se sa pak të mira dhe sa shumë të këqija mund t i vijnë një populli, që në kushtet e demokracisë prej 18 vjetësh vazhdon të ecë i ndarë për shkak të së shkuarës. Sali Berisha dhe Jozefina Topalli vijnë në Shkodër gjithmonë për t ju kujtuar se dikush e ka pasur gjyshin komunist dhe dikush të pushkatuar. Në emër të kësaj kujtese kanë kërkuar t ju mbajnë peng”, - tha ai. Rikthimi i mbështetjes financiare të qeverisë ka qenë një ndër premtimet që Rama u ka bërë banorëve të shumtë të fshatrave Reç i Ri dhe Kosmaç të Shkodrës. Politika të reja të mbështetjes në bujqësi ka premtuar Rama duke nënvizuar paralelisht uljen e kostove të prodhimit bujqësor e blegtoral.
Ky lajm është publikuar: 01/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›