Festohet 5 vjetori i krijimit të UOTSH
Ai e filloi jetën organizative të tij para 5 vjetësh, me rreth 40 subjekte turistike themeluese, ndërsa sot numëron më shumë se 120 anëtarë, të cilët rriten e zgjerohen nga viti në vit. Bilanci i veprimtarive dhe i aktiviteteve turistike të organizuara e koordinuara nga Kryesia e UOTSH është shumë e pasur dhe e larmishme gjithnjë në shërbim të komunitetit të biznesit turistik të kësaj organizate. Në këtë aktivitet festiv së bashku me partnerët turistikë të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, do të firmoset edhe krijimi i Organizatës Shqiptare të Turizmit Rajonal, si organizatë turistike koordinuese, bashkërenduese, promovuese dhe organizuese të një sërë veprimtarish e aktivitetesh të përbashkëta turistike me karakter incoming dhe outgoing për ti dhënë impulse të reja zhvillimit dhe harmonizimit të turizmit të shqiptarëve në rajon. Gjithashtu në këtë aktivitetet do të prezantohet kuzhina shqiptare tradicionale nga disa restorante, të cilat punojnë edhe me grupet turistike gjatë sezonit veror. Të ftuar do të jenë nga MTKRS dhe të tjerë nga institucionet shtetërore, organizatat simotra dhe operatorë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.