Festohet dita e ujit të munguar
Kryeqyteti shqiptar dhe disa qytete të tjera të vendit i janë bashkangjitur ceremonive sensibilizuese me rastin e Ditës Botërore të Ujit. Shoqata e Ujësjellës-Kanalizime të Shqipërisë në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, organizuan aktivitete sensibilizuese në sheshin “Skënderbej”. Tema e përzgjedhur për këtë vit për Ditën Botërore të Ujit ishte “Ujë të pastër, për një botë të shëndetshme“. Megjithatë, drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit për Tiranën u janë shmangur problemeve që ka kryeqyteti në furnizimin me ujë. Kështu, në zona të tilla si “Komuna e Parisit”, Kodra e Diellit, zona fundore e rrugës “Sami Frashëri”, apo në periferitë kryeqytetase, uji është shndërruar në një zhgjëndërr. Kjo e ka bërë ditën e ujit të shndërrohet në ditën e ujit të munguar. Pjesa më e madhe e banorëve pohojnë se janë të detyruar që të blejnë jo vetëm ujin për të pirë, por nga botet ata marrin edhe ujin për nevojat e tjera familjare. Një situatë e tillë ka vite që vazhdon në kryeqytetin që aspiron të integrohet mes metropoleve europiane. Po kështu, ankesa të shumta nga qytetarët regjistrohen edhe për sa i përket kohëzgjatjes së furnizimit me ujë, pa përmendur më tej presionin e tij që lë shumë për të dëshiruar. Ndaj dje në qendër të kryeqytetit duket se pakkush i ka besuar premtimeve deklarative të drejtorit të ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi. Ai tha se “ne do punojmë më shumë për ta bërë këtë ditë sa më të rëndësishme dhe për të treguar sa i rëndësishëm është përdorimi i ujit, sa i rëndësishëm është mbajtja pastër e tij dhe sa i domosdoshëm për jetën është uji në vendin tonë”.
Dy ditë më parë, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar rritjen e çmimit të ujit nga 22 lekë në 33 lekë. Ndërkohë që Drejtoria e Ujësjellësit përmes një marrëveshje që nënshkroi me Drejtorinë e Policisë së Tiranës, siguroi që do të arkëtojë të gjithë ujin që do të konsumohet, edhe përmes ndërhyrjes së policisë. Uniformat e rendit u premtua se do të mbështesin punonjësit e ujësjellësit edhe për aksionin e prerjes së lidhjeve të paligjshme në rrjet.
#