Minatorët, letër Berishës për uljen e moshës së pensionit
Sindikata e minatorëve të Bulqizës, në vijimësi të kërkesave të saj për uljen e moshës së pensionit, i ka dërguar këto ditë një letër Kryeministrit Berisha, për ndërhyrjen e tij në zgjidhjen e këtij problemi kaq të rëndësishëm për ta. Të 700 minatorët e kësaj miniere, thuhet në letër, ndjehen tejet të indinjuar, pasi kërkesat e tyre në mënyrë të përsëritur janë shpërfillur nga qeveria edhe përkundrejt protestave që ata kanë zhvilluar deri edhe në Tiranë para Kryeministrisë. Madje, thonë ata në letër, jemi ndjerë të vënë edhe në lojë me sarkazëm jo rrallë nga ana e strukturave shtetërore, sa herë që protestojmë për uljen e moshës së pensionit. Ndaj nëpërmjet kësaj letre, thotë kryetari i këshillit sindikal të minierës, Dilaver Përkoxha, jemi të detyruar t’i listojmë edhe njëherë kërkesat tona tejet minimale dhe plotësisht të realizueshme për qeverinë, të cilat janë:
- Korrigjimi i moshës së daljes në pension në 50 vjeç, me 10 vjet punë në nëntokë.
– Heqja e taksës së sheshtë si një barrë e papërballueshme nga minatorët.
– Përllogaritja e vlerës së pensionit sipas viteve të punës në nëntokë.
Plotësimi i këtyre tri kërkesave do të bënte të mundur sipas minatorëve, korrigjimin e një padrejtësie të madhe, siç është ai i daljes në pension 60 vjeç, kur sipas të dhënave statistikore në shkallë botërore, jetëgjatësia mesatare për minatorët shkon në rreth 62 vite. “Po të mos ulet mosha e pensionit, atëherë shumica prej nesh nuk do të arrijë të marrë as edhe një ditë pension. Për këtë mjafton t’u kujtoj se, vetëm para pak ditëve, saktësisht në Ditën e Verës, më 14 mars, nga kolektivi ynë u nda nga jeta minatori Mustafa Hoxha, në moshën 48-vjeçare, pas një ataku kardiak”, thotë në vijim të fjalës së tij për “Shqip” kryesindikalisti Përkoxha. Gjithsesi, nëpërmjet kësaj letre drejtuar Kryeministrit Berisha, 700 minatorët e Bulqizës i kujtojnë atij se neglizhimi në vijimësi i këtyre kërkesave, por jo vetëm, nga ana e strukturave shtetërore, do të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave të tyre.
#