E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romeo Leka u mbrojt nga eliminimi, njihte rregullat

Hetimet Konkluzionet e grupit të punës dhe zbardhja e një dënimi në Shqipëri

Pengmarrësi Romeo Leka ishte njohës i mirë i rregullave të policisë, ose fati ka qenë me të. Këto janë konkluzione të hetimit për operacionin e kapjes së tij, pasi gjatë gjithë kohës kur kërcënonte dhe përballë kishte forcat speciale, ai nuk ua ka drejtuar armën, por e ka mbajtur nën kufirin që lejohej, para se të qëllonin mbi të. Sipas të dhënave hetimore, duke marrë shkas edhe nga grabitjet e kryera në SHBA, duket se Romeo Leka kishte mësuar se mund të ekzekutohej nëse i drejtonte armën policisë, apo vajzës që kishte marrë peng, teksa nisi operacioni për neutralizimin e tij.

Analiza

Kështu, gjatë analizës së bërë, është vënë re se ai nuk e drejtonte armën drejt ndonjë njeriu, por e mbante gjysmë të ngritur nga drejtimi i tokës dhe nuk e ka ndryshuar qëndrimin, as në momentin, që iu afruan specialët e RENEA-s, për ta neutralizuar. Gjithashtu, ai nuk i ka drejtuar armën as 19-vjeçares që mbante peng, veçse në fillim, kur e mori në mes të rrugës, me qëllim për t’u arratisur. Këto mendohet se i ka mësuar gjatë aktivitetit kriminal në Amerikë dhe në Shqipëri.
Ndërkaq është zbardhur edhe një vendim i dënimit të tij në Shqipëri, për tentativën e vjedhjes së një mjeti. Sipas të dhënave, vendimi i përket datës 5 maj të vitit 2008, kur ai është dënuar me pesë muaj burg. Sipas të dhënave, nga hetimi gjyqësor i çështjes rezulton e provuar se më datë 2 mars 2008, rreth orës 22:30, në momentin kur Erald Qosja po parkonte makinën e tij tip “Benz”, me targë TR 0797 K, diku para banesës së tij, i është afruar i pandehuri Romeo Leka, me të cilin nuk njiheshin më parë. Ai e ka pyetur Erald Qosen nëse e shiste makinën dhe ai i është përgjigjur se e shiste makinën dhe me kërkesën e Lekës janë nisur të dy së bashku me qëllim që të provonin mjetin. Pasi kanë udhëtuar për disa kohë pas bisedës, kanë rënë dakord për shitjen e mjetit kundrejt vlerës 17 mijë dollarë.

Hetimi

Gjatë hetimit ka rezultuar se drejtimin e mjetit në këtë kohë e kishte Romeo Leka dhe kur është ndaluar, pikërisht pranë Gardës së Republikës, Erald Qose ka dalë nga makina për të këmbyer vendin me të pandehurin. Sapo ka zbritur pronari i makinës, Romeo Leka i ka dhënë gaz mjetit dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Erald Qose, menjëherë është vënë në ndjekje deri në momentin kur ai, nga shpejtësia e ka përplasur mjetin me një automjet tjetër. Erald Qose është varur në xham për t’i hequr çelësin dhe për të fikur makinën, por Romeo Leka i ka dhënë makinës mbrapa, duke e përplasur edhe nga mbrapa me makina të tjera të ndodhura atje. Në këto rrethana, Erald Qose ka filluar ta godasë me grushte Romeo Lekën, me qëllim që ai të ndalonte. Në ndihmë të tij kanë ardhur dy persona të ndodhur atje rastësisht, të quajtur Kastriot Fufi dhe Kont Xhexhi, të cilët kanë ndihmuar për të ndaluar përfundimisht Romeo Lekën. Më pas, në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, duke bërë arrestimin e tij. Për këtë vepër penale, Leka është dënuar me pesë muaj burg, por pas lirimit mendohet se ka konsumuar vepra të tjera penale në Shqipëri.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›