E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rihapen bisedime për statusin e Kosovës

Prishtinë, 20 Tetor, 15:25, NOA - Ish-ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, ambasadori Wolfgang Ischinger, është shprehur i bindur për hapjen e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ischinger ka thënë se të dyja palët duhet të tejkalojnë kundërthëniet mbi çështjet e statusit. Ai tha se procesi i ri, që sipas tij mund të ndodhë pas disa vjetësh, do të zhvillohet vetëm me kërkesën e palëve.

Ambasadori Ischinger, që ndërmjetësoi në bisedimet shtesë në vitin 2007, së bashku me përfaqësuesin amerikan, Frank Wisner, dhe atë rus, Aleksander Botsan Kharchenko, tha se të dyja shtetet duhet të arrijnë një të ardhme së bashku, pa kufij dhe nën ombrellën e BE-së.

Ai tha se zgjidhja më e mirë do të ishte integrimi i shqiptarëve dhe serbëve në Bashkimin Evropia në të njëjtën kohë.

Ambasadori gjerman po ashtu ka shfaqur besimin e tij se ideja që ka shtruar gjatë procesit negociator për një status bazuar në marrëveshjen e dy shteteve gjermane në vitin 1973, do të rishtrohet sërish si mundësi e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Sipas tij çështja e rezolutës serbe për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tani do të jetë në duart e Hagës dhe për një kohë nuk do të jetë temë për të cilën do të debatohet në mënyrë të dhunshme.

INA/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›