E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel dhe Red Bull triumfojnë në Kinë

Në Formula 1 hyri si një prej talenteve më premtues (i mbështetur edhe nga Mikael Shumaher) dhe shpërtheu në vitin 2008 në Monca, mes reshjeve të në një fundjave të "çmendur". Por sot, Sebastian Fetel është zyrtarisht në luftën për titullin kampion bote, pas një gare të dominuar sërish nga shiu. Gjermani i Red Bull u klasifikua i pari në Çmimin e Madh të Kinës, duke konfirmuar se është e tashmja dhe e ardhmja e këtij sporti. Në asfaltin e vështirë të Shangait, të përmbytur nga reshjet, Fetel tregoi kualitetin duke udhëhequr skuadrën e tij drejt ditës historike: skuadra modeste fitoi dy vendet e para, sepse pas 21-vjeçarit, i dyti në finish mbërriti Mark Veber. Një rezultat i jashtëzakonshëm që mban edhe firmën e Adrian Njuei, projektuesi gjenial i triumfeve të mëdha të MekLarenit. Sapo rregullorja e F1 ndryshoi, ai projektoi një makinë shumë konkurruese. Fitorja e Fetel sjell "ndalesën" e parë të BraunGP në Botërorin 2009. Xhenson Baton e mbylli garën në vendin e tretë, ndërsa Barrikelo i katërti. Pas tyre janë klasifikuar dy makinat MekLaren me Kovalainen dhe Hemilton, ndërsa më pas u renditën Glok dhe Buemi, që i dhuroi Toro Rosos pikën e parë. Zhgënjen sërish Ferrari, që vazhdon të ketë kuotën zero pikë në klasifikimin për pilotë dhe për konstruktorë. Pas ditëve me diell në prova, shiu kishte rindezur shpresat e "kokëkuqes" për një rezultat pozitiv. Por, në xhiron e 21-të, Felipe Masa u detyrua të braktisë garën pas një problemi elektrik. Ndërkohë që, Kimi Raikonen, i penalizuar nga mungesa e shpejtësisë, kaloi i dhjeti në finish. Paraqitje e dobët edhe për BMW-në: Hajdfilld dhe Kubika u renditën në vendet 12-të dhe 13-të.

Gara startoi pas makinës së sigurisë, pasi kushtet e pistës u cilësuan jashtë normave të lejuara. Rivaliteti i vërtetë filloi pas tetë xhirove, por skuadrat që kishin planifikuar strategji me pak benzinë u penalizuan (mes tyre edhe Alonso, që në fund u rendit i nënti). Dy makinat Red Bull dominuan menjëherë, duke u shfaqur më të shpejta, ndërsa BraunGP hasi mjaft vështirësi. Gjithsesi, beteja më emocionuese zhvillohej në mes të grupit, ku mbi të gjithë spikati Luis Hemilton: britaniku regjistroi disa parakalime mjaft të bukura, të cilat u zbehën nga daljet e shpeshta nga pista. Dëshira për të rikuperuar sa më shumë vende e ndëshkoi, edhe pse "shigjetat e argjendta" e mbyllën garën në zonën e pikëve. Red Bull fitoi edhe strategjinë e gomave, duke menaxhuar mirë situatën, pasi asfalti qëndroi gjithë kohën e lagur. Veber ishte protagonist në duelin me Baton, por kjo nuk i mjaftoi që të kapte shokun e tij të skuadrës. Në xhiron e 19-të, makina e sigurisë hyri sërish në pistë, pas aksidentit ndërmjet Kubikës dhe Trullit. Gjatë kësaj kohe, Buemi ka goditur nga mbrapa makinën e Fetel, por asnjë prej makinave nuk u dëmtua.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›