Fetel fiton edhe në Monza titulli kampion është pranë
Red Bull edhe në Monza. Ndonëse Alonso ka bërë maksimumin për të fituar në garën e shtëpisë, ka qenë gjermani që ka vënë pas tij të gjithë garuesit e tjerë në Itali. Pas kësaj fitoreje, duket se beteja për titullin kampion është çështje e mbyllur
Tjetër fitore për Sebastian Fetel. Piloti gjerman i Red Bull ka fituar garën për Çmimin e Madh të Italisë në Monza duke e mbyllur praktikisht garën për titullin kampion për pilotë. Fetel kaloi finishin i pari, duke lënë pas tij Xhenson Baton me Mclaren në vendin e dytë dhe Fernando Alonso me Ferrari në vendin e tretë. Kjo fitore e Fetel thellon diferencën e tij në krye të klasifikimit të përgjithshëm me ndjekësin më të afërt që tashmë është Alonso. Fetel kryeson me 284 pikë, Alonso 172 dhe Baton 167. Spektakli në pistën e Monzas mban emrin e legjendës së Formula 1, Mikael Shumaker. “Shumi”, edhe pse makina e tij Mercedes nuk ndodhet në lartësinë e Mclaren, Ferrarit apo Red Bull, rivalizoi deri në fund duke u renditur i pesti. Për disa minuta, 7 herë kampioni i botës, mbajti prapa, pilotin më agresiv të Formula 1, pikërisht Luis Hamilton me Mclaren, i cili, pas shumë tentativash arriti ta parakalojë atë duke u renditur i katërti.
Renditja në Monza
Piloti Makina Pikë
1) Fetel Red Bull 25
2) Baton McLaren 18
3) Alonso Ferrari 15
4) Hamilton McLaren 12
5) Shumaker Mercedes 10
6) Masa Ferrari 8
7) Algersuari Toro Rosso 6
8) Di Resta F1 India 4
9) Senna Lotus 2
10) Buemi Toro Roso 1
Renditja e përgjithshme
Piloti Makina Pikë
1) Fetel Red Bull 284
2) Alonso Ferrari 172
3) Baton McLaren 167
4) Veber Red Bull 167
5) Hamilton McLaren 158