E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel fiton në Spanjë duel spektakolar me Hamilton

SPANJË- Sebastian Fetel ka fituar garën e katërt për këtë sezon, duke triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Spanjës. Piloti kampion bote në fuqi, ka arritur të lërë pas Ljuis Hamilton me MekLaren, pas një dueli të bukur mes tyre në pistën e Barcelonës. I treti u rendit Xhenson Baton dhe pas tij Veber e Alonso.

Gara e Spanjës ka dhuruar emocione të shumta, teksa Fernando Alonso mori kryesimin e saj në start, për ta humbur atë pas 20 xhirosh. Piloti spanjoll ka vuajtur edhe këtë herë problemet me makinën e tij, që nuk duket aspak konkurruese në krahasim me Red Bull. Në fund, ai u rendit vetëm në vendin e pestë, duke u kaluar edhe nga Mark Veber. Por, momentet më pikante kanë ato të duelit Fetel-Hamilton. Këtë herë gjermanit i është dashur të vuajë shumë për të marrë fitoren, pasi britaniku nuk është dorëzuar deri në momentin e finishit. Por, strategjia perfekte dhe ritmi i skuderisë Red Bull kanë bërë edhe këtë herë diferencën.

Me fitoren e sotme, Fetel konfirmohet si favorit për të triumfuar edhe këtë edicion në Formula 1. Në pesë garat e para, piloti gjerman i Red Bull ka fituar katër, duke e kthyer kampionatin në një monotoni. Ai ka 118 pikë, i ndjekur nga Hamilton me 77 dhe Mark Veber me 67. Fernando Alonso renditet në vendin e pestë me 51 pikë, 10 më pak se Xhenson Baton i vendit të katërt.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›