E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetel triumfon edhe në Spanjë, por heroi i ditës është Alonso

SPANJE- Gara e Kanadasë ka qenë vetëm një episod, pasi Sebastian Fetel është rikthyer sërish te fitorja në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës. Mbi cirkuitin e Valencias, piloti gjerman i Red Bull ka dominuar nga fillimi në fund, duke lënë pas një Fernando Alonso në formë të shkëlqyer. Fetel duket i paarritshëm për momentin dhe diferenca me vendin e dytë është 77 pikë, ç’ka do të thotë se ai mund të mos garojë fare në tre garat e radhës dhe sërish do të jetë i pari. I nisur nga vendi i parë, ai nuk ka bërë asnjë gabim dhe e ka kontrolluar garën me një qetësi të jashtëzakonshme. Por, në Valencia, njeriu i ditës ka qenë Fernando Alonso. Spanjolli ka mundur të zërë vendin e dytë, duke lënë pas pilotin tjetër të Red Bull Mark Veber. Alonso bëri dy parakalime ndaj australianit, një në pistë dhe një në bokse, ç’ka bëri që ai të merrte vendin e dytë. Ndërkohë, vendi i katërt, pas Mark Veber, i ka takuar Ljuis Hamilton, që ka lënë pas Felipe Masën me Ferrarin dhe shokun e tij të skuadrës Xhenson Baton. Pas kësaj gare, Fetel e ka çuar në 77 pikë diferencën me dy ndjekësit Baton e Veber. Ai ka 186 pikë, kundrejt 109 që kanë dy pilotët më të afërt në klasifikim. Hamilton renditet i katërti me 97 pikë, 10 më shumë se Fernando Alonso i vendit të pestë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›