Nuk jam diktator

Menaxheri i ri i Chelseas, Andre Villas-Boas ka insistuar se do të kërkojë nga futbollistët e tij të rinj të aplikojnë lojën e tyre. Emërimi i ish-trajnerit të Portos nga gjiganti londinez zgjoi vëmendje të madhe, ndërsa ai u bë menaxheri më i ri në Premierligë, në moshën 33 vjeç.
Vetëm tetë muaj e ndajnë Villas Boasin nga nënkapiteni dhe ylli Frank Lampard, duke zgjuar brenda ekipit idenë se menaxheri i ri mund të dështojë në komandimin e skuadrës. Por, Villas-Boas, ish-asistent i Jose Mourinhos në Stamford Bridge, ka mohuar sugjerimet e tilla, duke thënë se do të lejojë Chelsean të luajë me liri, të cilën ai e ndjen se i nevojitet një ekipi të suksesshëm.
“Kjo detyrë është ajo të cilën e kam kërkuar gjithmonë. E pranoj se njerëzit mund të më shikojnë si rrezikim për shkak të moshës sime, por nëse nuk do të besoja se do të kem sukses, atëherë nuk do të isha këtu”, tha Villas-Boas për The Sunday Mirror.
“Nuk jam diktator, kërkoj liri në zgjedhje të futbollit. Futbollistët mund të shfrytëzojnë tërë potencialin e tyre nëse nuk janë të kufizuar dhe mund të qëndrojnë në këmbët e tyre. Kreativiteti te futbollistët e mi është i rëndësishëm. E adhuroj pjesën e paparashikueshme të lojës”, përfundoi ai.