Gerrard është Supermen

Jamie Redknapp ka lavdëruar Steven Gerrardin si ‘Supermen’ dhe beson se kapiteni i Liverpoolit në sezonin e ardhshëm do të udhëheqë ekipin drejt Ligës së Kampionëve.
31-vjeçari mungoi në fazën përfundimtare të edicionit të kaluar, pas një operacioni, ndërsa Liverpool dështoi të kualifikohet për garat evropiane të klubeve duke përfunduar në pozitën e gjashtë në Premierligë. Por, ylli anglez është në rrugë të mirë të fillojë përgatitjet për edicionin e ri para ndeshjes në xhiron e parë kundër Sunderlandit, në Anfield Road.
Dhe Reknapp, i cili kaloi 12 sezone me Liverpoolin, beson se rikuperimi i plotë i Gerrardit, të cilin e quan ‘Supermen’ do të jetë vendimtare për synimet e ekipit të kthehet në top-katër pozitat e para në Premierligë.
“Shpresoj që ai të jetë kthyer në formën e tij më të mirë fizike në sezonin e ardhshëm, ai është një Supermen”, tha analisti i Sky Sports për Liverpoolfc.tv.
“Shpresoj që ai të kthehet në formën e tij më të mirë fizike, kjo është themelore. Ai u operua, kam biseduar me të dhe më ka thënë se ndihet shumë i fortë. Mendoj se klubi është në një periudhë pozitive me kthimin e Kennyt, ardhjen e Luis Suarezit, më pëlqen shumë ta shoh duke luajtur. Shpresoj se ata mund të kthehen në Ligën e Kampionëve. Me Kennyn, kjo është e mundshme”, përfundoi ai.