E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilas Boas, plan spastrimi për "senatorët" e Çelsit

LONDER-Atmosferë ndryshimesh në Çelsin e ri të Andres Vilas Boas. "Sunday Star" ka zbuluar se trajneri i ri ka gati një plan "spastrimi", i cili që tani i ka trembur të gjithë në shtëpinë e skuadrës londineze. Ndonëse ka vetëm disa ditë që është zgjedhur në krye të bluve, trajneri portugez dëshiron të bëjë një revolucion të vërtetë në krye të skuadrës. Ai ka kërkuar konfirmimin e Pol Klement, Brajan English dhe Glen Driskol në stafin teknik. Ata ishin në prag të largimit, duke marrë edhe një bonus të mirë nga presidenti Abramoviç, por Vilas Boas ka ndërhyrë, duke kërkuar që të qëndrojnë. Sipas "Mirror Sports", në listë për t'i dhënë lamtumirën "Stemford Brixh" janë edhe disa nga senatorët e skuadrës, duke nisur nga Frenk Lampard, Didier Drogba dhe Nikolas Anelka. Por, edhe kapiteni Xhon Terri nuk duket më aq i sigurt me ardhjen e ish-teknikut të Portos, ndonëse për të nuk flitet për largim, por thjesht për ulje në pankinë. Beteja e Vilas Boas, të cilit mesa duket pronari Abramoviç i ka dhënë "liri veprimi", ka trembur jo pak futbollistët e vjetër të ekipit, të cilët në 6-7 vitet e fundit kanë fituar tre tituj kampionë. Por, portugezi kërkon një skuadër më të re, nën shembullin e Mançester Junajtid. Por, si do të përfundojë beteja? Në shtypin anglez flitet se i vetmi që mund t'i shpëtojë këtij spastrimi është Frenk Lampard dhe kjo për shkak se ai mbetet ende një element thelbësor në rolin e bluve të Londrës. Veç kësaj, mesfushori është një nga të preferuarit e tifozerisë, për shkak edhe të performancës në vitet e fundit.
Merkato
Largimi i disa prej senatorëve të skuadrës lidhet me planet e merkatos që ka Vilas Boas. Ai ka planifikuar blerjen e 8 futbollistëve, një pjesë e madhe e të cilëve nga Porto. Kështu, sipasn "Sunday Star", në këtë listë bëjnë pjesë Serxhio Aguero, sulmuesi i Atletiko Madrid që kushton 45 milionë stërlina; Fabio Koentrao i Benfikës, me një vlerë prej 26 milionë stërlina; Falkao i Portos, 26 milionë stërlina; Luka Modriç i Totenhemi për 30 milionë stërlina; Zhoao Mutinjo i Portos, me një klauzolë 36 milionë; Hulk, që thuhet se ka një klauzolë prej 87 milionësh, por që me 25 milionë mund të blihet; Rolando, me vlerë 18 milionë dhe Nejmar, për të cilin Santosi ka refuzuar 23 milionë stërlina. Përsa i përket Aleksis Sançez, Neës of the Ëorld bën të ditur se Vilas Boas e ka takuar atë vetë, duke i komunikuar edhe një ofertë prej 36 milionë stërlinash. Ndërsa i ka prishur punë Mançester Sitit me këtë ofertë, tekniku portugez nuk është ndalur këtu, duke ndërhyrë edhe në çështjet e Realit të Madridit, që drejtohet nga miku i tij Murinjo. Përveçse kërkon të marrë Falkaon, i kërkuar nga të dy klubet, Vilas Boas është në kërkim edhe të Serxhio Ramos, i cili nuk është duke kaluar një nga momentet më të mira të karrierës në "Bernabeu". Një tjetër emër i përfolur është edhe Tiago Alkantara i Barcelonës, që të gjithë e quajnë tashmë "Ksavi i vogël".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›