E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: Gati të shkoj në Prokurori

Rudi Vata

Rudi Vata nuk stepet, por thekson se është i gatshëm të përballet me Drejtësinë për të gjitha deklaratat që ai ka bërë në media. Pasi ka mësuar shkarkimin nga posti që mbante, ka theksuar edhe një herë se rrënimi i kësaj Vllaznie po vjen nga drejtuesit aktualë të klubit, duke vënë theksin më së shumti te administratori Kujtim Shaba. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me kërkesën e drejtuesve të klubit për të tërhequr akuzat e bëra se ndryshe do përballej me drejtësinë, vetë Vata është shprehur se çdo gjë që ka thënë, e ka thënë me vetëdije dhe është i gatshëm të përballet në organet e Drejtësisë. “Mund të them se nuk kam bërë asnjë akuzë. Kam thënë vetëm të vërtetat e përjetuara dhe të faktuara. Unë jam nga ata burra që them vetëm të vërtetën. Uroj që Drejtësia të futet sa më shpejt dhe të hetojë çdo gjë që ndodh në Shqipëri dhe në futbollin shqiptar. Uroj dhe dëshiroj që sa më shpejt klubi Vllaznia t’i drejtohet Drejtësisë dhe Rudi Vata si person i drejtë, si qytetar i Shqipërisë, është i gatshëm të përballohet me gjithë ato njerëz që janë të përlyer dhe janë të njohur me imazhin e tyre që kanë ndërtuar”, ka pohuar Vata.  Tekniku, pas asaj deklarate të tij me 19 pika, duket se i ka paraprirë largimit nga drejtimi i klubit shkodran.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›