Strategjia, fondet për rrugët rurale e ujësjellësit
Kryeministri Sali Berisha, tha dje në mbledhjen e radhës së Komitetit të Planifikimit Strategjik, se fondet e akorduara në Programin IPA 2009 për Shqipërinë, do të përdoren kryesisht për projekte në rrugët rurale dhe ujësjellësit”. Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi nevojën që fondet e këtij programi të pasohen në projekte për rrugët rurale dhe ujësjellësit. “Zhvillimi i vendit është i lidhur me ripërtëritjen dhe rindërtimin e infrastrukturës, ndaj dhe kjo Qeveri në këtë mandat, por edhe në mandatin tjetër, në rast se do të votohet nga qytetarët shqiptarë, do të jetë e detyruar të ketë përqendrimin maksimal në infrastrukturë”, tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se një Shqipëri evropiane mund të jetë e tillë vetëm me një infrastrukturë evropiane. Në asistencën e Programit IPA 2009 Shqipëria do të financohet me rreth 81.2 milionë euro nga totali që Shqipëria ka pasur për periudhën 2007-2009 prej 212 milionë euro. Nga këto 70.9 milionë euro janë për komponentin e parë të asistencës së tranzicionit dhe forcimit të institucioneve, 10.3 milionë euro janë për komponentin e dytë, për bashkëpunimin ndërkufitar. Që prej muajit qershor të këtij viti, institucionet dhe agjencitë kanë filluar punën për përgatitjen e Programit IPA 2009 të komponentit të parë, identifikimin e projekteve prioritare, që do të financohen me fondet në dispozicion prej 70.9 milionë euro.